08/03/2024
Me datë 31 janar 2024 u mbajt takimi vjetor i Këshillit Kombëtar të Pagesave (KKP) me anëtarësi të zgjeruar. Takimi u drejtua nga Kryesuesi i Këshillit z. Dardan Fusha Zëvendësguvernator për Operacione Bankare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Përveç anëtarësisë së zgjeruar të KKP-së, në këtë takim morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore z. Ahmet Ismaili dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati, si dhe përfaqësues nga Institucionet Qeveritare, Ambasada Amerikane (USAID), Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, Zyra e BE-së dhe SECO, Skemat Ndërkombëtare të Kartelave Visa dhe Master Card, si dhe pjesëmarrës dhe partnerë tjerë zhvillimor.
Takimi u hap me fjalë përshëndetëse nga Guvernatori z. Ismaili dhe Ministri z. Murati, ku u paraqiten orientimet strategjike dhe pikëpamjet e institucioneve përkatëse, duke nënvizuar efektet pozitive në ekonomi të një ndërmarrje të tillë me karakter gjithëpërfshirës kombëtar. Takimi vazhdoi me prezantimin nga Kryesuesi z. Fusha i cili vuri theksin tek iniciativat e Bankës Qendrore, të cilat synojnë rritjen e përfshirjes financiare të qytetarëve dhe zvogëlimin e përdorimit të pagesave me para të gatshme. Edhe folësit tjerë të ftuar, si drejtori i ATK-së z. Murtezaj dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore z. Banka, shpalosen qëndrimet e tyre plotësisht në linjë me Planin Strategjik të BQK-së dhe nismat aktuale në kuadër të KKP-së.
Në këtë kuadër, fokus iu dha draftit të Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave, përgatitjet e nevojshme për plotësimin e kritereve për anëtarësim në skemën e vetme të pagesave në zonën e BE-së (SEPA) dhe integrimi në sistemin e pagesave të shpejta të Bashkimit Evropian të njohur si TIPS. Këto zhvillime pritet të ndikojnë në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të sistemit dhe instrumenteve të pagesave, përfshirë uljen e kostove dhe kohës së tranfereve dhe remitancave. Në këtë takim u diskutua mbi përmbushjen e objektivave të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël dhe angazhimet e Bankës Qendrore në kuadër të projektit për Modernizimin e Sistemeve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor të sponsorizuar nga Komisioni Evropian, nën administrimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) i cili është duke u implementuar nga Grupi i Bankës Botërore.
Të pranishmit në këtë takim u njoftuan edhe me praktika të vendeve tjera të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe me VISA dhe MC, sa i përket iniciativave gjithëpërfshirëse për reduktimin e parasë së gatshme. Gjithashtu, u prezantuan zhvillimet lidhur me avancimin e shërbimeve të pagesave nga bankat dhe IFJB-të, përfshirë gatishmërinë e tyre për tu përshtatur me zhvillimet e reja.
Në përfundim u diskutuan disa nga rekomandimet e nxjerra nga ky takim, lidhur me aktivitetet e nevojshme për reduktimin e përdorimit të parave të gatshme, si dhe mekanizmat e përcjelljes së këtyre projekteve përmes themelimit të grupeve punuese nën udhëheqjen e BQK-së dhe me përfshirjen e anëtarëve të Këshillit dhe institucioneve tjera relevante. Nisma konkrete me afate dhe akterë do të aranzhohen në vijim.
Materialet nga takimi vjetor i Këshillit Kombëtar të Pagesave:
Agjenda e Takimit – 31.01.2024
Përmbledhja e diskutimeve-Minutat e takimit dhe Rekomandimet/Konkluzionet
Prezantimet e këtij takimi: