Stabiliteti Financiar

Ruajtja e stabilitetit financiar përbën detyrim statutor dhe objektiv parësor për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Stabiliteti financiar mund të definohet si situata në të cilën të gjithë komponentët e sistemit financiar (tregjet financiare, institucionet financiare dhe infrastruktura financiare) funksionojnë pa shkëputje sistemike dhe ruajnë e fuqizojnë rezistencën e sistemit.

Në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, BQK, ndër tjera, në mënyrë të vazhdueshme bën identifikimin, monitorimin dhe analizimin e rrezikut sistemik. Identifikimi i rreziqeve potenciale bëhet përmes monitorimit të vazhdueshëm të zhvillimeve ciklike dhe strukturore makroekonomike si dhe sistemit financiar. Ndërsa, vlerësimi i rreziqeve dhe ndikimi i tyre potencial në stabilitetin financiar dhe për pasojë stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik, bëhet përmes analizave të rregullta kualitative dhe kuantitative përfshirë analizimin e ecurisë së treguesve ekonomik dhe financiar me frekuencë të lartë, parashikimet mbi treguesit kryesorë makroekonomikë dhe aplikimin e modeleve që adresojnë dimensionin ciklik, strukturor dhe ndërsektoral të rrezikut sistemik.