Kjo faqe rifreskohet çdo gjashtë muaj më datën 1 shkurt dhe 1 gusht të vitit kalendarik. Në rastet kur BQK nuk e ka publikuar normën referente në fuqi, duhet përdorur norma referente e BQK-së e publikuar së fundi.
Bazuar në Rregulloren për Kamatëvonesën e Instrumenteve Kreditore, BQK publikon në bazë të rregullt gjashtëmujore të dhëna për normën referente si pjesë e kamatëvonesës.
Rregullorja për Kamatëvonesën e Instrumenteve Kreditore ka për qëllim të përcaktojë procedurën që do të ndiqet nga institucionet financiare kredidhënëse për të ngarkuar kamatëvonesën, si dhe të përcaktojë metodën për caktimin dhe llogaritjen e shumës së kamatëvonesës së ngarkuar ndaj instrumenteve kreditore të cilat janë në vonesë.
E rifreskuar për herë të fundit më: 1 gusht 2024
Norma referente – paraqet pikën në mes të normës efektive të interesit në kredi të reja që marrin bankat dhe normës efektive të interesit në depozita të reja që paguajnë bankat. Llogaritja e normës referente bëhet duke marrë për bazë mesataren në gjashtë muajt e fundit (janar-qershor ose korrik-dhjetor) të normës së interesit për kontratat e reja në kredi dhe depozita, e llogaritur dhe publikuar nga BQK.
Llogaritja e normës së kamatëvonesës do të jetë normë vjetore (Nv), e cila përbëhet nga norma referente e rritur për 8 pikë përqindje normë fikse. Normën referente do ta publikojë BQK çdo gjashtë muaj. Me datë 1 shkurt publikohet norma që merr për bazë mesataren për periudhën korrik-dhjetor dhe vlen për periudhën e ardhshme nga data 10 shkurt deri më 9 gusht; kurse më datë 1 gusht të vitit kalendarik publikohet norma që merr për bazë mesataren për periudhën janar-qershor dhe vlen për periudhën e ardhshme nga data 10 gusht deri më 9 shkurt.