Statistikat e Llogarive Financiare
Statistikat e llogarisë financiare (SLLF) janë një pjesë integrale e llogarive kombëtare që regjistrojnë ndërlidhjen e brendshme dhe të jashtme të llogarive financiare në një ekonomi të klasifikuara sipas sektorëve ekonomikë dhe instrumenteve financiarë. SLLF ofrojnë informata për stokun (gjendja në fund të periudhës) dhe transaksionet rrjedhëse (transaksionet gjatë një periudha) të investimeve financiare dhe aktiviteteve të financimit për të gjithë sektorët e ekonomisë kombëtare (ekonomitë familjare, korporatat jofinanciare, korporatat financiare, autoritetet publike) të shpërndara në instrumente financiare (të tilla si depozitat, kreditë, letrat me vlerë të borxhit dhe kapitali). Ato ilustrojnë se si sektorët e ndryshëm ekonomikë investojnë tepricën e tyre financiare dhe/ose financojnë humbjet e tyre financiare.
Hyrje
Metodologjia e përpilimit të llogarive financiare për anëtarët e Bashkimit Evropian është e definuar nga Eurostati përmes manualit “Sistemi Evropian të Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010)”. ESA 2201 është në përputhje me konceptet dhe definicionet ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombeve të Bashkuara përmes manualit “Sistemi i Llogarive Kombëtare të Kombeve të Bashkuara 2008 (SNA 2008)”, dhe është në përputhje me botimin e gjashtë të Manualit të Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare (BPM6) i zhvilluar e publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Publikimi
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në publikimin e kësaj radhe për herë të parë ofron për publikun statistika eksperimentale të llogarisë financiare për sektorin financiar (përfshirë të gjithë nën sektorët e sektorit financiar), të ndara sipas instrumenteve financiare, si për asetet ashtu edhe për detyrimet. Tabelat janë të paraqitura mbi bazën “nga-kush-tek-kush”. Metodologjia e përdorur për përpilimin e këtyre të dhënave është në përputhje me ESA 2010 dhe SNA 2008.
Publikimi i këtyre statistikave eksperimentale bëhet me qëllimin që tu jap përdoruesve pasqyrën e hershme të zhvillimeve financiare dhe mundësinë për të ofruar komentet e tyre në këtë fazë të zhvillimit të SLLF. Si grup i parë i statistikave eksperimentale të lidhura me SLLF, këto statistika për sektorin financiar janë një tregues i rëndësishëm i përparimit. Publikimi i plotë i SLLF për të gjithë sektorët e ekonomisë së Kosovës është planifikuar të bëhet deri në fund të vitit 2022.
Statistikat e llogarive financiare – të dhënat
Metodologjia
Sistemi Evropian i Llogarive Kombëtare 2010
Sistemi i Llogarive Kombëtare (SNA 2008)
Manuali mbi Statistikat e Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit Ndërkombëtar të Investimeve (BPM6)