Kabineti i Guvernatorit

Kabineti i Guvernatorit përbëhet nga këshilltarët dhe asistentët dhe zyrtar tjerë profesional konform nevojave dhe specifikave të detyrave të kësaj njësie organizative. Kabineti i Guvernatorit e mbështet organizimin dhe realizimin e agjendës së Guvernatorit, si dhe është përgjegjës për koordinimet relevante me zëvendësguvernatorët dhe anëtarët e tjerë të lartë të personelit.  Kabineti i Guvernatorit po ashtu komunikon rregullisht dhe bashkëpunon ngushtë me njësitë e tjera organizative të BQK-së, sa i përket çështjeve të rëndësishme operacionale dhe administrative.

Kabineti i Guvernatorit i ka këto funksione kryesore:
• Asistimin dhe këshillimin e Guvernatorit lidhur me çështje të përgjithshme dhe të veçanta;
• Mbikëqyrjen e çështjeve/detyrave specifike të vendosura nga Guvernatori dhe sigurimin e implementimit të tyre;
• Përcjelljen dhe mbështetjen e njësive organizative, që janë nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të Guvernatorit;
• Komunikimin dhe bashkëpunimin me njësitë relevante organizative të BQK-së në bazë të kërkesës së Guvernatorit;
• Përkujdesjen për punë sekretarie dhe logjistike lidhur me angazhimet e përditshme të Guvernatorit brenda dhe jashtë BQK-së;
• Rishikimin e materialeve të ndryshme nga brenda dhe nga jashtë BQK-së të cilat i adresohen Guvernatorit;
• Mbajtjen e dosjeve dhe dokumenteve të rëndësishme që Guvernatori i pranon ose i dërgon.

Departamenti i Burimeve Njerëzore
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) i kushton rëndësi të madhe rekrutimit, mbajtjes dhe zhvillimit profesional të anëtarëve të personelit të saj. Qasja e BQK-së ndaj anëtarëve të personelit të saj është objektive dhe e drejtë në pajtim me dispozitat përkatëse dhe praktikat më të mira.
Departamenti i Burimeve Njerëzore është njësia organizative përgjegjëse për administrimin e marrëdhënieve të punës. Përveç funksionit administrativ, ky Departament është përgjegjës edhe për rritjen dhe zhvillimin e njohurive dhe aftësive të personelit, si dhe ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve lidhur me çështjet të ndryshme të personelit. Funksionet e Departamentit të Burimeve Njerëzore janë të përcaktuara me politika dhe rregulla përkatëse, të cilat janë të hollësishme dhe të qarta, të cilat janë të njohura mirë nga anëtarët e personelit.
Departamenti i Burimeve Njerëzore i ka këto funksione kryesore:
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të rekrutimit dhe orientimit bazë të anëtarëve të rinj të personelit,
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të trajnimit dhe zhvillimit profesional të anëtarëve të personelit;
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të vlerësimit të performancës dhe promovimit të anëtarëve të personelit;
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të realizimit të pagave dhe beneficioneve të tjera të anëtarëve të personelit (sigurimin shëndetësor dhe jetësor, kontributet pensionale, obligimet tatimore, etj.)
• Përcjelljen dhe raportimin mbi respektimin e politikave dhe rregullave të brendshme të personelit (respektimi i orarit të punës, respektimi i kodit të mirësjelljes, etj.);
• Organizimin dhe udhëheqjen e takimeve dhe ngjarjeve të tjera të përgjithshme të personelit; informimin e personelit lidhur me çështjet e marrëdhënieve të punës;
• Përkujdesjen për dosjet e anëtarëve të personelit, duke përfshirë edhe përshkrimet e pozitave të punës
• Konsultimin me anëtarët e personelit në pozita mbikëqyrëse lidhur me çështjet praktike të personelit;
• Ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve lidhur me politikat dhe praktikat e marrëdhënieve të punës.