Siguria, qëndrueshmëria dhe efikasiteti i sistemeve të pagesave janë elemente parësore për funksionimin e rregullt të sistemit financiar. Sistemet e pagesave janë kanalet nëpërmjet të cilave bëhet transferimi i fondeve ndërmjet bankave, si dhe janë një nga rrugët kryesore nëpërmjet të cilave krizat financiare mund të transmetohen në sistemet dhe tregjet kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Sistemet e pagesave, të sigurta dhe të qëndrueshme, janë kërkesat kryesore për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Duke pasur parasysh se sistemet e pagesave fuqishëm ndikojnë në shpejtësinë e lëvizjes së fondeve në ekonomi, shpenzimet e përgjithshme dhe likuiditetin e pjesëmarrësve, dhe se ato shërbejnë si një kanal transmetimi i politikës monetare, bëhet fare e qartë arsyeja e interesimit të Bankës Qendrore për sigurimin e funksionimit efikas të saj.
Prandaj, promovimi i sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave përbën një nga funksionet kryesore të mandatuara me ligj për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Sipas ligjit të Bankës Qendrore, objektivi primar i BQK-së është “të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave”. Në lidhje me sistemet e pagesave, ligji i jep kompetenca të veçanta BQK-së: “promovimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë”; dhe “të organizojë, të posedojë, të marrë pjesë dhe të operojë sisteme të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë.”
Me qëllim të nxitjes së sistemeve të sigurta dhe efikase të pagesave, BQK-ja ka tri role kryesore në sistemin e pagesave:
Roli Operacional – Ofron infrastrukturën për kliringun dhe shlyerjen e pagesave ndërbankare; administron dhe operon një sistem hibrid (SPN – Sistemi i Pagesave Ndërbankare) për kliring dhe shlyerje të pagesave me vlera të mëdha dhe të vogla.
Roli Mbikëqyrës – Përcakton rregullat dhe procedurat, vendos standardet për të nxitur dhe mbështetur një sistem pagesash të sigurt, efikas për procesimin e pagesave dhe, vlerëson sistemet kundrejt standardeve të vendosura; dhe
Roli i Katalizatorit – Nxit dhe promovon efikasitetin dhe sigurinë në përdorimin e instrumenteve të pagesave dhe të sistemeve të pagesave.
Për informata shtesë rreth materialit të publikuar në faqe kontaktoni: paymentsystems@bqk-kos.org.
Në rast të vërejtjeve apo ankesave nga institucionet dhe publiku lidhur me instrumentet dhe shërbimet e pagesave ndërbankare (debitim direkt, kos-giro, urdhërtransfere, apo forma tjera të pagesave), drejtohuni direkt pranë bankës suaj me mundësi njoftimi edhe në adresën tonë: paymentsystems@bqk-kos.org.