Departamenti i Auditimit të Brendshëm
Auditimi i brendshëm në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) kryhet konform Ligjit për BQK-në dhe standardeve ndërkombëtare. Obligimet përkatëse bazë të BQK-së specifikohen në nenet 60-62 të Ligjit për BQK-në. Auditimi i Brendshëm i BQK-së specifikohet më në detaje në statutin e auditimit të BQK-së, manualin e auditimit, si dhe në planin vjetor të auditimit të brendshëm.
Departamenti i Auditimit të Brendshëm është njësia organizative përgjegjëse për realizimin e auditimit të brendshëm në BQK-së. Auditimi i Brendshëm në BQK është funksion i pavarur dhe objektiv, si dhe aktivitet konsultimi i projektuar për të shtuar vlerën dhe përmirësuar operacionet dhe administratën e BQK-së. Departamenti i Auditimit të Brendshëm ndihmon në arritjen e objektivave të BQK-së duke vlerësuar, raportuar dhe rekomanduar lidhur me evidencat dhe pasqyrat financiare, procedurat buxhetore dhe kontabël, menaxhimin e rrezikut dhe kontrolleve të tjera të zbatuara nga BQK-ja, efikasitetin dhe rentabilitetit me të cilët vepron BQK-ja, si dhe të çdo çështjeje tjetër të përcaktuar.
Departamenti i Auditimit të Brendshëm i ka këto funksione kryesore:
• Përgatitjen dhe propozimin e planit vjetor të auditimit të brendshëm sipas qasjes së bazuar në rrezik;
• Planifikimin e auditimeve të brendshme të veçanta sipas planit vjetor të auditimit të brendshëm;
• Organizimin dhe ekzekutimin e auditimeve ad hoc sipas kërkesës së Shefit të Auditimit të Brendshëm;
• Konsultimin dhe bashkëpunimin me njësitë organizative të audituara gjatë procesit të auditimeve të brendshme të veçanta; komunikimin me njësitë e tjera organizative dhe palët e jashtme relevante;
• Përgatitjen e raporteve të auditimit të brendshëm lidhur me auditimet e brendshme të veçanta; qartësimin dhe diskutimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të përfshira në raportet e auditimit të brendshëm; përfshirjen në këto raporte të komenteve të menaxhmentit;
• Përcjelljen dhe vlerësimin e implementimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të brendshëm;
• Raportimin e rregullt dhe të jashtëzakonshëm lidhur me çështje të auditimit të brendshëm.