Departamenti i Menaxhimit të Rrezikut
Departamenti i Menaxhimi të Rrezikut është i orientuar drejt arritjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës të përcaktuara me ligj, krijimit dhe ruajtjes së vlerave të përcaktuara në orientimet strategjike dhe të jetësuara në angazhimet operative të kryerjes së përgjegjësive të punës.Menaxhimi i rrezikut është pjesë integrale e të gjitha proceseve organizative e shtrirë nga planifikimi strategjik drejt planeve dhe aktiviteteve operative. Departamenti i menaxhimit të rrezikut ndihmon procesin e vendimmarrjes drejt zgjidhjeve të informuara, trajtimit me prioritet të veprimeve dhe vë në pah alternativat e mundshme në kursin e veprimeve.Departamenti i menaxhimit të rrezikut ka këto funksione kryesore:
• Kryen vlerësime të pavarura, të paanshme dhe profesionale për praktikat e menaxhimit të rreziqeve të njësive organizative të BQK-së;
• Profilizon rreziqet ndaj të cilave ekspozohet BQK-ja;
• Vlerëson përshtatshmërinë e politikave dhe procedurave të departamenteve dhe njësive tjera organizative të BQK-së për marrjen e rreziqeve;
• Sugjeron avancimin e kornizës së menaxhimit të rreziqeve, përfshirë politikat, procedurat, udhëzimet, indikatorët dhe metodologjinë e identifikimit, matjes, vlerësimit dhe monitorimit të rreziqeve;
• Kryen veprimet e nevojshme për monitorimin dhe kontrollin e rreziqeve materiale, trendin dhe tendencat e përkeqësimit në pajtueshmëri me kornizën e politikave dhe procedurave përkatëse;
• Shqyrton përshtatshmërinë e mekanizmave qeverisës në kontekst të menaxhimit të rrezikut në BQK;
• Kryen aktivitetet dhe veprimet e nevojshme për ndërgjegjësimin e të gjithë bartësve të proceseve në BQK, ndaj ndjeshmërisë së rreziqeve, dhe për koordinimin e procesit të menaxhimit të këtyre rreziqeve;
• Sugjeron planet kontingjente dhe të vazhdimësisë së biznesit në përgjigje të efekteve nga rreziqet;
• Ndihmon në zhvillimin dhe ngritjen e vetëdijesimit dhe kulturës së risk menaxhmentit në BQK.
Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë autonome dhe të pavarur, përkatësisht i kryen detyrat dhe i përmbush objektivat e përcaktuara me ligj. Pavarësia dhe autonomia e BQK-së në pajtim me praktikat më të mira institucionale kushtëzon një nivel të lartë të transparencës dhe llogaridhënies nga ana e saj. Për më tepër, informimi i institucioneve shtetërore dhe publikut të gjerë rreth politikave, detyrave dhe operacioneve të BQK-së është një prej detyrave të saj. Po ashtu një prej detyrave të saj është edhe komunikimi dhe bashkëpunimi me organizatat relevante ndërkombëtare. Të dyja këto detyra të BQK-së janë të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit për BQK-në dhe janë në funksion të arritjes së objektivave të saj të përcaktuara me këtë ligj.
Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë është njësia kryesore organizative për komunikim me jashtë, koordinim dhe zhvillim të marrëdhënieve me institucionet relevante shtetërore, organizatat relevante ndërkombëtare dhe publikun e gjerë. Po ashtu ky Departament kontribuon edhe në mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me të gjithë akterët e sistemit financiar.
Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë i ka këto funksione kryesore:
• Koordinimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me institucionet shtetërore;
• Koordinimin dhe zhvillimin e komunikimit me media dhe publikun e gjerë;
• Koordinimin dhe zhvillimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me autoritetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare;
• Kontribuimin në mbajtjen e zhvillimin e marrëdhënieve me institucionet financiare;
• Përkujdesjen për protokollin e BQK-së dhe organizimin e takimeve dhe konferencave të BQK-së të nivelit të lartë;
• Redaktimin dhe lektorimin e publikimeve dhe materialeve të ndryshme;
• Azhurnimin e rregullt të faqes së internetit të BQK-së;
• Koordinimin e raportimeve dhe aktiviteteve të tjera të BQK-së në proceset e integrimeve evropiane;
• Organizimin dhe drejtimin e angazhimeve të BQK-së në fushën e edukimit financiar të publikut;
• Sigurimin e shërbimeve të përkthimeve me gojë dhe me shkrim mes shqipes, serbishtes dhe anglishtes;
• Përkujdesjen për komunikimet e brendshme me rëndësi.
Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil, d.m.th. stabilitetin financiar dhe objektiv dytësor ka që të kontribuojë në stabilitetin e çmimeve. Po ashtu për objektiv tjetër, pa cenuar dy objektivat e para, e ka mbështetjen e politikave të përgjithshme ekonomike qeveritare. Të tria këto objektiva janë të lidhura me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar. Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar është Departamenti parësor përgjegjës për të kryer analiza të përgjithshme dhe të veçanta të ekonomisë dhe sektorit financiar dhe për të monitoruar dhe studiuar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet dhe proceset të cilat mund të ndikojnë në stabilitetin financiar. Ky departament po ashtu i përpilon raportet përkatëse rreth zhvillimeve ekonomike e financiare, si dhe kujdeset për publikimin e tyre dhe për komunikimin e rezultateve tek autoritetet kompetente dhe akterët e tjerë relevant.
Të tri objektivat e BQK-së janë të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8 dhe janë të detajuara në nenet pasuese. Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar përfshijnë mbledhjen, analizimin dhe publikimin e informacioneve relevante ekonomike dhe financiare; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; veprimin si këshilltar ekonomik për Qeverinë dhe subjektet e tjera publike; vlerësimin e stabilitetit financiar; përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar; dhe përcaktimin e politikave për kontribuim në arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve, si dhe stabilitetit makroekonomik në përgjithësi.
Puna e Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar është e ndarë në tri fusha të veçanta: analizat makroekonomike, stabiliteti financiar, dhe publikimet dhe biblioteka. Në kuadër të këtyre fushave, Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar i ka këto funksione kryesore:
Analizat makroekonomike:
• Analizimin e zhvillimeve makroekonomike dhe identifikimin e rreziqeve për ekonominë e vendit
• Përcjelljen e zhvillimeve ekonomike në regjion dhe më gjerë;
• Rekomandimin e masave për të promovuar stabilitetin e çmimeve në vend dhe të masave të tjera relevante ekonomike;
• Përpilimin e materialeve kërkimore rreth temave të ndryshme makroekonomike.
Stabiliteti financiar:
• Analizimin e aktivitetit të sistemit financiar sipas sektorëve përbërës;
• Identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin e rreziqeve të sistemit financiar (me fokus të veçantë në sektorin bankar);
• Vlerësimin e stabilitetit të sistemit bankar (përfshirë stres-testin)
• Vlerësimin e infrastrukturës dhe tregjeve financiare;
• Vlerësimin e perspektivës së sistemit financiar vendor dhe rekomandimin të masave për të promovuar stabilitetin financiar;
• Përpilimin e materialeve kërkimore rreth temave të ndryshme financiare.
Publikimet dhe biblioteka:
• Përgatitjen teknike të publikimeve të BQK-së;
• Administrimin dhe pasurimin e Bibliotekës së BQK-së.
Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit Financiar
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) menaxhon anën financiare të veprimtarisë së saj konform Ligjit për BQK-në dhe standardeve ndërkombëtare. Obligimet përkatëse bazë të BQK-së specifikohen në nenet 53-59 të Ligjit për BQK-në, si dhe në legjislacionin tjetër të aplikueshëm. Ana financiare e veprimtarisë së BQK-së specifikohet më në detaje në politika dhe rregulla të brendshme përkatëse, si dhe në buxhet dhe plane të tjera.
Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit Financiar është njësia organizative përgjegjëse për çështjet e brendshme financiare të BQK-së. Në formë më specifike puna e tij përfshin mbajtjen e librave financiarë, përgatitjen e pasqyrave financiare, kryerjen e analizave financiare, planifikimin e buxhetit dhe implementimin e tij, menaxhimin e granteve të alokuara, procesimin e shpenzimeve dhe kryerjen e punëve të zyrës mbështetëse.
Në kuadër të Departamentit të Planifikimit dhe Raportimit Financiar ekziston Divizioni i Kontabilitetit dhe Mbështetjes dhe Divizioni i Mbikëqyrjes dhe Analizave Buxhetore. Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit Financiar i ka këto funksione kryesore:
• Menaxhimin e funksioneve bazë të kontabilitetit dhe kontabilitetit financiar;
• Përgatitjen dhe publikimin e pasqyrave financiare;
• Përgatitjen e analizave financiare;
• Përpilimin, kontrollin dhe implementimin e buxhetit vjetor;
• Menaxhimin e shënimeve të kontabilitetit të shpenzimeve;
• Menaxhimin e granteve të alokuara për BQK-në;
• Procesimin e shpenzimeve dhe pagesave të vogla;
• Ushtrimin e punëve të zyrës mbështetëse për transaksionet me llogari nostro;
• Komunikimin dhe menaxhimin e aktiviteteve financiare me llogaritë e FMN-së;
• Bashkëpunimin me auditorët e jashtëm dhe palët e tjera relevante rreth aspekteve të financave dhe evidencës financiare në BQK.
Departamenti Juridik
Departamenti juridik është përgjegjës për çështje të natyrës juridike respektivisht ofrimin e shërbimit dhe mbështetjes juridike për BQK-në. Departamenti Juridik merr masat e nevojshme në mënyrë, që të sigurojë se e tërë veprimtaria e BQK-së është në përputhje me “Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës” si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Departamenti Juridik ka detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim: