Guvernatori Ismaili mori pjesë në takimin mbi perspektivën ekonomike evropiane të Departamentit për Evropë të FMN-së

27/10/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Ministrin e Financave, z. Murati, morën pjesë në takimin e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me Guvernatorët dhe Ministrat e Financave të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Takimi i përvitshëm zhvillohet sipas formatit zyrtar të FMN-së, gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së në Washington, nën udhëheqjen e Drejtorit, z. Kammer, dhe trajtoi perspektivën ekonomike evropiane, duke paraqitur zhvillimet aktuale dhe pritjet për treguesit kryesorë ekonomikë dhe financiarë.

Ky takim i formatit të mbyllur shërben si një platformë ku guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave diskutojnë mbi perspektivat dhe sfidat ekonomike të rajonit.

Bazuar në raportin “European Economic Outlook” të prezantuar gjatë takimit, rezulton se ekonomia e rajonit po shfaq një qëndrueshmëri të konsiderueshme dhe pritjet për zhvillimin e saj janë pozitive.