Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori, z. Ahmet Ismaili, Anëtarja Joekzekutive e Bordit, znj. Nora Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori, z. Dardan Fusha, me bashkëpunëtorë ka marr pjesë në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Washington DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimeve, që u zhvilluan nga 13 deri më 18 prill, Guvernatori Ismaili me delegacionin e tij para drejtueseve të FMN-së, BB-së, Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), Thesarit Amerikan si dhe me përfaqësues të bankave qendrore partnere, ka prezantuar zhvillimet kryesore dhe prioritetet në sektorin financiar të Republikës së Kosovës, rezultatet nga zbatimi i programeve dhe asistencave teknike profesionale, si dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme teknike.

Në takim me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, duke përfshirë performancën e sektorit financiar, progresin në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave strukturore. Ai paraqiti gjithashtu zhvillimet financiare dhe monetare në vend, me theks të veçantë në indikatorët kryesorë që dëshmojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar.

Nga ana e tij, Zëvendësdrejtori Menaxhues z. Li vlerësoi progresin e arritur nga ana e BQK, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, me mundësinë e zgjerimit me programe të reja.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-i-bqk-se-takon-zevendesdrejtorin-menaxhues-te-fmn-se-z-bo-li/

Gjatë takimit me z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Guvernatori Ismaili e njoftoi z. Kammer mbi zhvillimet më të fundit dhe performancën e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe avancimin e reformave strukturore. Ai theksoi se ekonomia e vendit ka vazhduar të shfaqë qëndrueshmëri përkundër sfidave të jashtme, duke u mbështetur në një sektor bankar të kapitalizuar mirë, me likuiditet të mjaftueshëm dhe me nivel të ulët të kredive joperformuese.

Z. Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK-ja në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, veçanërisht në fushat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të sistemit financiar.

Në përfundim të takimit, meqë z. Kammer pensionet së shpejti, në shenjë respekti për kontributin dhe punën e tij në mbështetje të BQK, Guvernatori Ismaili i dorëzoi një dhuratë simbolike për të vlerësuar dhe falënderuar për bashkëpunimin në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-drejtorin-e-departamentit-evropian-ne-fmn-z-alfred-kammer-2/

Kurse në takimin me z. Yigit Yasar, Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës në FMN, u diskutua për zhvillimet më të fundit në sektorin financiar në Kosovë. Guvernatori Ismaili theksoi qëndrueshmërinë e sistemit financiar, avancimin e infrastrukturës së pagesave, progresin në digjitalizimin e sektorit financiar, si dhe reformat në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Po ashtu, u diskutuan përpjekjet për rritjen e gjithëpërfshirjes financiare dhe forcimin e qeverisjes institucionale. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe adresimit të rreziqeve të reja, përfshirë rreziqet kibernetike.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takohet-me-drejtorin-ekzekutiv-te-fmn-se-z-yigit-yasar/

Në takimin të përbashkët me Ministrin Murati me znj. Nathalie Francken, Drejtore Ekzekutive në Bankën Botërore u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar, me theks të veçantë në avancimin e gjithëpërfshirjes financiare dhe rritjen e qasjes në financa për qytetarët dhe bizneset, përmes projekteve për modernizimin e sistemit të pagesave. Guvernatori Ismaili prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga BQK në këtë drejtim, duke përfshirë nismat për edukim financiar, digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës në tregun financiar.

U vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm në kuadër të projekteve të sektorit financiar, përfshirë projektin për integrimin e Kosovës në SEPA dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone. Gjithashtu, u mirëprit nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore në fushën e sektorit financiar.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-drejtoren-ekzekutive-te-konstituences-se-bankes-boterore-znj-nathalie-francken/

Guvernatori Ismaili u mirëprit në selinë e Bankës Botërore nga Zëvendëspresidenti dhe njëherësh Drejtuesi i Thesarit i Grupi të BB-së, z. Jorge Familiar, me të cilin theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të programeve si Partneriteti për Këshillim dhe Menaxhim të Rezervave (RAMP), duke vënë në pah përfitimet konkrete në avancimin e praktikave të investimit dhe menaxhimit të riskut.

Në këtë drejtim, me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale, BQK ka avancuar bashkëpunimin me programin e Thesarit të Bankës Botërore (RAMP), duke kaluar në fazën e menaxhimit aktiv të portofolit, me ç’rast është nënshkruar edhe Marrëveshja e re e Bashkëpunimit. Programi përfshin rreth 100 institucione anëtare në nivel global, kryesisht banka qendrore, me mbi 30 miliardë dollarë amerikan asete nën menaxhim nga Thesari i Bankës Botërore. Duke filluar nga ky vit, një pjesë e këtyre aseteve të menaxhuara do të jenë edhe fondet qe menaxhohen nga BQK.

Nga ana e tij, z. Familiar vlerësoi progresin e arritur nga BQK dhe rikonfirmoi mbështetjen e Bankës Botërore për projektet dhe iniciativat që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-mirepritet-nga-zevendespresidenti-dhe-drejtuesi-i-thesarit-te-grupit-te-bankes-boterore-z-jorge-familiar-dhe-nenshkruan-marreveshjen-e-re-te-bashkepunimit/

Ndërsa, Guvernatori Ismaili në takim me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Antonella Bassani, e informoi mbi zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës, me fokus në modernizimin e sistemit të pagesave dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ai po ashtu theksoi përkushtimin e BQK-së për avancimin e infrastrukturës së pagesave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar këtë si prioritet strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.

Znj. Bassani rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të mbështetur BQK-në dhe reformat e ndërmarra, duke vlerësuar lart arritjet e deritanishme.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-zevendespresidenten-e-bankes-boterore-znj-antonella-bassani-ne-washington-dc/

Gjatë takimit të përbashkët me Ministrin Murati, të mbajtur në formatin e FMN-së, Guvernatori Ismaili e njoftoi Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, z. David Amaglobeli mbi zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, me theks të veçantë në indikatorët kryesorë makroekonomikë dhe të sektorit financiar, të cilët dëshmojnë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe progresi i arritur në kuadër të Raportit të Stafit për Konsultimet e Nenit IV për vitin 2026.

Nga ana e tij, z. Amaglobeli vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv dhe partneritetin ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, si dhe progresin në forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së FMN-së përmes asistencës teknike dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të BQK-së në këtë drejtim.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-shefin-e-misionit-te-fmn-se-per-kosoven-z-david-amaglobeli/

Në kuadër të Takimeve Pranverore 2026, Guvernatori Ismaili zhvilloi një takim bilateral me drejtues të Bankës së Francës për të avancuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, ku u nënshkrua një Marrëveshje e re ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe z. Ivan Odonnat, Drejtor i Përgjithshëm për Operacione dhe Stabilitet Financiar në Bankën e Francës (Banque de France), e cila zgjeron bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, duke përfshirë kategori të reja të aseteve.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë strategjike të kësaj Marrëveshjeje për sektorin financiar të Kosovës, duke vlerësuar se ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe modernizimin e kornizës për menaxhimin e rezervave, në përputhje me zhvillimet e reja globale.

🔗https://bqk-kos.org/news/banka-qendrore-e-republikes-se-kosoves-dhe-banka-e-frances-banque-de-france-avancojne-bashkepunimin-dhe-nenshkruajne-marreveshje-te-re/

I shoqëruar me delegacionin e tij, Guvernatori Ismaili u mirëprit ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga drejtorët z. Ed Roche si dhe Rachel Irmen, përgjegjës për zhvillimin e tregut të kapitalit, si dhe për fushën e PPP/LPPFT, me bashkëpunëtorë. Takimi riafirmoi partneritetin e fortë ndërmjet BQK-së dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në kuadër të projektit aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me rëndësi strategjike, sipas Planit Strategjik, siç janë lufta kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes (PP/FT/FP) dhe zhvillimi i infrastrukturës për tregun e kapitalit.

Nga ana e tyre, drejtuesit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit Amerikan konfirmuan gatishmërinë e tyre për të zgjeruar bashkëpunimin në kuadër të programit të ri të asistencës teknike në fushën  kundër PP/FT/FP, si dhe për të eksploruar një projekt të mundshëm për avancimin e infrastrukturës teknike për zhvillimin e tregut të kapitalit.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-mirepritet-ne-zyren-e-asistences-teknike-te-thesarit-te-shba-se-gjate-takimeve-pranverore-2026-te-fmn-se-dhe-bb-se/

Guvernatori Ismaili e njoftoi Zëvendëspresidentin e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), z. Alfonso García Mora mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Republikës së Kosovës, duke theksuar avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me qëllim të forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit financiar, zgjerimit të shërbimeve financiare, rritjes së qasjes në financa, si dhe avancimit të përfshirjes financiare dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Në veçanti, palët diskutuan projektet aktuale që mbështeten nga IFC-ja, përfshirë Projektin për Digjitalizimin e Shërbimeve Financiare, ku u theksua progresi i deritanishëm i aktiviteteve kryesore në përputhje me planin e veprimit. Gjithashtu, u diskutua për projektin që lidhet me avancimin e kornizës rregullative për institucionet financiare jobankare, si dhe për aktivitetet që janë në proces. Po ashtu, palët biseduan mbi ofrimin e asistencës teknike për zhvillimin e sektorit financiar në Kosovë.

Nga ana e tij, z. García Mora vlerësoi lart reformat e ndërmarra dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë për ta zgjeruar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takoi-zevendespresidentin-e-ifc-se-z-alfonso-garcia-mora/

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Ismaili ka zhvilluar takim me ekipin e Departamentit për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga znj. Mary Goodman, me të cilin është diskutuar mbi ecurinë e rekomandimeve të dhëna nga misionet paraprake të FMN-së, përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), Vlerësimin e Masave Mbrojtëse (Safeguard Assessment), si dhe nivelin e zbatimit të asistencave teknike të ofruara deri më tani, që u vlerësuan lartë dhe me performancë të lartë.

Theksi u vendos tek mbështetja për zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP), Kodin e Transparencës për BQK-në, zhvillimin e mëtejshëm të modeleve në fushës së menaxhimit të krizave, si dhe avancimin e mbikëqyrjes së TI-së dhe menaxhimit të rreziqeve kibernetike në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

🔗https://bqk-kos.org/news/delegacioni-i-bqk-se-takohet-me-drejtuesit-e-departamentit-per-tregjet-e-parase-dhe-kapitalit-mcm-te-fmn-se/

Guvernatori Ismaili i cili njëherësh përfaqëson Republikën e Kosovës në Bordin e Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mori pjesë në mbledhjen e Konstituencës së FMN-së, ku Republika e Kosovës bën pjesë së bashku me Austrinë, Çekinë, Hungarinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Türkiye.

Në takim u diskutua lidhur me ecurinë e realizimit të aktiviteteve, duke paraqitur një përmbledhje të aktivitetit të konstituencës sonë, si dhe mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, përfshirë stabilitetin financiar, ndikimet nga goditjet e jashtme, presionet inflacioniste dhe rreziqet e reja për sektorin bankar dhe ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga drejtuesit e FMN-së, ndërsa konfirmoi mbështetjen për nominimin për drejtuesin e ri të konstituences, duke vlerësuar lart punën e drejtorit aktual, mandati i të cili pritet të përfundojë në tremujorin e fundit të këtij viti.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-merr-pjese-ne-takimin-e-konstituences-se-fmn-se-me-fokus-ne-stabilitetin-financiar-dhe-sfidat-globale/

Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Fusha morën pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Zbatimi i Platformës Target Instant Payments Settlement (TIPS) Clone”, e organizuar nga Grupi i Bankës Botërore, me pjesëmarrjen e Guvernatorëve dhe ekipeve të pesë bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor, Bankës së Italisë dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore.

Diskutimi kishte për qëllim shqyrtimin e progresit të arritur në përgatitjet për lansimin e platformës TIPS Clone, sipas planifikimeve të këtij viti, si dhe vlerësimin e gatishmërisë së bankave qendrore dhe ekosistemeve kombëtare për t’u lidhur me sistemin e pagesave të shpejta.

Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për modernizimin e infrastrukturës së pagesave, duke vlerësuar TIPS Clone si një hap strategjik drejt rritjes së efikasitetit, shpejtësisë dhe sigurisë së pagesave, si dhe drejt forcimit të integrimit rajonal dhe afrimit gradual me standardet evropiane të pagesave, përfshirë procesin e integrimit në SEPA.

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet bankave qendrore, Bankës së Italisë dhe Grupit të Bankës Botërore, duke nënvizuar se mbështetja teknike dhe institucionale është thelbësore për sigurimin e një implementimi të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të sistemit të pagesave të shpejta në nivel kombëtar dhe rajonal.

🔗https://bqk-kos.org/news/bqk-kontribuon-ne-diskutimet-rajonale-per-modernizimin-e-sistemeve-te-pagesave-permes-tips-clone/

Zëvendësguvernatori Fusha me bashkëpunëtorë zhvilloi një takim me z. Christian Rössler, Zëvendëspresident për Banking, Huazim dhe Financim në institucionin Clearstream, me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit pas anëtarësimit në institucionin financiar i letrave me vlerë Clearstream, si dhe aspekte tjera operacionale që mundësojnë ruajtjen dhe shlyerjen e letrave me vlerë ndërkombëtare, të cilat avancojnë mekanizmat që mundësojnë qasje shtese për likuiditet dhe optimizimin e menaxhimit të kolateralëve si letra me vlerë.

Pjesë e diskutimit ishin edhe zhvillimet më të fundit të instrumenteve të avancuara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe të kapitalit, si dhe ofrimi i mbështetjes së vazhdueshme operative, shërbimeve këshillimore, trajnimeve dhe asistencës për pajtueshmëri nga ekspertët e fushës. Në këtë kuadër u diskutuan edhe mundësitë e zgjerimit të infrastrukturës së Depozitorit Qendror të Letrave me Vlerë të vendit, si dhe instrumentet alternative të financimit në kuadrin e tregjeve të kapitalit.

🔗https://bqk-kos.org/news/zevendesguvernatori-fusha-takon-zevendespresidentin-e-clearstream-z-christian-rossler-ne-kuader-te-takimeve-pranverore-ne-washington-dc/

Guvernatori i BQK-së përfaqësoi Republikën e Kosovës në takimin plenar të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC), së bashku me Guvernatorët nga 191 shtetet anëtare të FMN-së, që u mbajt në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në këtë seancë, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Fusha, ofroi një mundësi të rëndësishme për bashkëveprim me politikëbërës globalë dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare mbi çështje me interes të përbashkët, përfshirë perspektivat ekonomike globale dhe iniciativat për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar.

IMFC është përgjegjës për këshillimin dhe raportimin ndaj Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, ndërsa ai menaxhon dhe formëson sistemin monetar dhe financiar ndërkombëtar.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-merr-pjese-ne-takimin-plenar-te-komitetit-nderkombetar-monetar-dhe-financiar-imfc-me-pjesemarres-nga-191-shtetet-anetare/

Guvernatori Ismaili së bashku me Ministrin e Financave morën pjesë në takimin e nivelit të lartë të organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të Takimeve Pranverore, kushtuar iniciativës për themelimin e Qendrës për Asistencë Teknike për Evropën Juglindore (SEETAC).

Gjatë takimit, Fondi Monetar Ndërkombëtar informoi për vendimin për themelimin e kësaj qendre rajonale dhe përzgjedhjen e Romës si vend pritës, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një platforme të përhershme për zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e politikëbërjes në vendet e rajonit. U vlerësua se SEETAC do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit makroekonomik, qëndrueshmërisë institucionale dhe përparimit drejt integrimit evropian.

Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e asistencës teknike të koordinuar dhe bashkëpunimit rajonal për forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave strukturore, duke nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për iniciativa që mbështesin përmbushjen e standardeve evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-merr-pjese-ne-takimin-e-fmn-se-per-themelimin-e-seetac/

Duke përmbyllur Takimet Pranverore 2026 në Washington DC, Guvernatori Ismaili iu bashkua Guvernatorëve dhe Ministrave të Financave në takimin mbi Perspektivën Ekonomike Rajonale (REO). Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare që ndikojnë rajonin, si dhe për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane.

Prezantimet vunë në pah sfidat me të cilat përballet rajoni në kushtet e pasigurive të larta globale dhe konflikteve në vazhdim, përfshirë ndikimet e goditjeve të jashtme, presionet inflacioniste të vazhdueshme dhe rrezikun e përhapjes së tyre në sektorë të tjerë. Në këtë kontekst, u diskutuan edhe masat e nevojshme për adresimin e këtyre sfidave, veçanërisht nga këndvështrimi i politikave monetare dhe fiskale.

🔗https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-u-bashkohet-guvernatoreve-dhe-ministrave-ne-takimin-mbi-perspektiven-ekonomike-rajonale-reo-duke-permbyllur-takimet-pranverore-2026-ne-washington-dc/

Takimet Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore mbledhin së bashku guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhvillimin ekonomik, reduktimin e varfërisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Guvernatori Ismaili u bashkohet Guvernatorëve dhe Ministrave në takimin mbi Perspektivën Ekonomike Rajonale (REO), duke përmbyllur Takimet Pranverore 2026 në Washington DC Guvernatori Ismaili pret në takim anëtarin e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it, z. Brendan O’Connor