Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, përfaqësoi Republikën e Kosovës në takimin plenar të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC), së bashku me Guvernatorët e shteteve anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Takimi i mbyllur u mbajt në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Gjatë këtij forumi të nivelit të lartë, politikëbërësit globalë diskutuan zhvillimet më të fundit në ekonominë botërore, përfshirë perspektivat e rritjes ekonomike, dinamikat inflacioniste dhe rreziqet për stabilitetin financiar. Diskutimet përfshinë gjithashtu politikat monetare dhe fiskale, cenueshmëritë në sektorin financiar, si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Komiteti Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC) është përgjegjës për këshillimin dhe raportimin ndaj Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, duke luajtur një rol kyç në menaxhimin dhe formësimin e sistemit monetar dhe financiar ndërkombëtar. Përveç kësaj, IMFC monitoron zhvillimet në likuiditetin global dhe transferimin e burimeve drejt vendeve në zhvillim, shqyrton propozimet e Bordit Ekzekutiv për ndryshime në Nenët e Marrëveshjes, trajton çështje emergjente me ndikim potencial në sistemin financiar global, si dhe këshillon për çështje të tjera të referuara nga Bordi i Guvernatorëve.

Ky forum ndërkombëtar mundëson gjithashtu zhvillimin e takimeve bilaterale me Guvernatorë dhe përfaqësues të institucioneve financiare nga e gjithë bota, ku shkëmbehen pikëpamje dhe ndërtohen partneritete në funksion të promovimit të stabilitetit financiar global.

Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në këtë seancë, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori z. Fusha, ofroi një mundësi të rëndësishme për bashkëveprim me politikëbërës globalë dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare mbi çështje me interes të përbashkët, përfshirë perspektivat ekonomike globale dhe iniciativat për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar.

Guvernatori i BQK shërben si përfaqësues i Republikës së Kosovës ne Bordin e Guvernatorëve të FMN, krahas 190 anëtarëve tjerë të FMN nga e mbarë bota.

Guvernatori Ismaili takon Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimin e Konstituencës së FMN-së me fokus në stabilitetin financiar dhe sfidat globale