Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i cili njëherësh përfaqëson Republikën e Kosovës në Bordin e Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mori pjesë në mbledhjen e Konstituencës së FMN-së, ku Republika e Kosovës bën pjesë së bashku me Austrinë, Çekinë, Hungarinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Türkiye.

Në takim u diskutua lidhur me ecurinë e realizimit të aktiviteteve, duke paraqitur një përmbledhje të aktivitetit të konstituencës sonë, si dhe mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, përfshirë stabilitetin financiar, ndikimet nga goditjet e jashtme, presionet inflacioniste dhe rreziqet e reja për sektorin bankar dhe ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse. Gjithashtu, u diskutuan veprimet e mundshme për përballimin dhe zbutjen e efekteve të goditjeve të jashtme në kushtet e pasigurive të shtuara globale.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga drejtuesit e FMN-së, ndërsa konfirmoi mbështetjen për nominimin për drejtuesin e ri të konstituences, duke vlerësuar lart punën e drejtorit aktual, mandati i të cili pritet të përfundojë në tremujorin e fundit të këtij viti.

Takimi u organizua në kuadër të Takimeve Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Washington DC.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimin plenar të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC) me pjesëmarrës nga 191 shtetet anëtare Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimin e FMN‑së për themelimin e SEETAC