Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë, ka zhvilluar takim me ekipin e Departamentit për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga znj. Mary Goodman, Ndihmësdrejtore dhe Shefe e Divizionit të Departamentit për Tregjet Monetare dhe të Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), së bashku me ekipin e gjerë të ekspertëve të fushave të ndryshme që janë të angazhuar në projektet e asistencës teknike.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e rekomandimeve të dhëna nga misionet paraprake të FMN-së, përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), Vlerësimin e Masave Mbrojtëse (Safeguard Assessment), si dhe nivelin e zbatimit të asistencave teknike të ofruara deri më tani, që u vlerësuan lart dhe me performancë të lartë. Këto projekte janë të lidhura drejtpërdrejt me planin strategjik, dhe kryesisht lidhen me mandatin parësor të BQK-së.

Në veçanti, u diskutua për vazhdimin e mbështetjes së FMN-së në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, sigurisë kibernetike, si dhe avancimin e kornizës institucionale dhe ligjore të BQK-së. Theksi u vendos tek mbështetja për zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP), Kodin e Transparencës për BQK-në, zhvillimin e mëtejshëm të modeleve në fushës së menaxhimit të krizave, si dhe avancimin e mbikëqyrjes së TI-së dhe menaxhimit të rreziqeve kibernetike në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Guvernatori i BQK-së shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e lartë ndaj FMN-së, ku vetëm në dy vitet e fundit numri i projekteve të përbashkëta ka tejkaluar dhjetë asistenca profesionale në fusha të përmendura më lartë, me një nivel të lartë të zbatimit dhe të vlerësuara lart nga vet FMN.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington DC, delegacioni i BQK-së do të ketë edhe takime bilaterale me drejtuesit e institucioneve partnere ndërkombëtare të cilat janë të përfshira në zbatimin e reformave në legjislacion dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në zbatim të mandatit dhe objektivat e institucionit.

Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës merr pjesë në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington DC Zëvendësguvernatori Fusha takon Zëvendëspresidentin e Clearstream, z. Christian Rössler në kuadër të Takimeve Pranverore në Washington DC