Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha, me bashkëpunëtorë zhvilloi një takim me z. Christian Rössler, Zëvendëspresident për Banking, Huazim dhe Financim në institucionin Clearstream, pjesë e Grupit të Bursës Gjermane me seli në Luksemburg, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington DC.

Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet e fundit pas anëtarësimit në institucionin financiar i letrave me vlerë Clearstream, si dhe aspekte tjera operacionale që mundësojnë ruajtjen dhe shlyerjen e letrave me vlerë ndërkombëtare, të cilat avancojnë mekanizmat që mundësojnë qasje shtese për likuiditet dhe optimizimin e menaxhimit të kolateralëve si letra me vlerë.

Pjesë e diskutimit ishin edhe zhvillimet më të fundit të instrumenteve të avancuara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe të kapitalit, si dhe ofrimi i mbështetjes së vazhdueshme operative, shërbimeve këshillimore, trajnimeve dhe asistencës për pajtueshmëri nga ekspertët e fushës. Në këtë kuadër u diskutuan edhe mundësitë e zgjerimit të infrastrukturës së Depozitorit Qendror të Letrave me Vlerë të vendit, si dhe instrumentet alternative të financimit në kuadrin e tregjeve të kapitalit.

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi rëndësinë e integrimit të praktikave moderne në proceset e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare, në funksion të rritjes së efikasitetit operacional dhe diversifikimit të investimeve, në funksion të zgjerimit të mandatit investues në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, me qasje aktive përmes Thesarit të Bankës Botërore.

Në përfundim të takimit, të dy palët u pajtuan për të shqyrtuar më tej mundësitë konkrete për bashkëpunim të mëtejmë në këtë fushë, në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së.

Delegacioni i BQK-së takohet me drejtuesit e Departamentit për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit (MCM) të FMN-së Guvernatori Ismaili mirëpritet në Zyrën e Asistencës Teknike të Thesarit të SHBA-së gjatë Takimeve Pranverore 2026 të FMN-së dhe BB-së