Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, iu bashkua guvernatorëve dhe ministrave të financave në takimin mbi Perspektivën Ekonomike Rajonale, të udhëhequr nga z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare që ndikojnë rajonin, si dhe për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane.

Prezantimet vunë në pah sfidat me të cilat përballet rajoni në kushtet e pasigurive të larta globale dhe konflikteve në vazhdim, përfshirë ndikimet e goditjeve të jashtme, presionet inflacioniste të vazhdueshme dhe rrezikun e përhapjes së tyre në sektorë të tjerë. Në këtë kontekst, u diskutuan edhe masat e nevojshme për adresimin e këtyre sfidave, veçanërisht nga këndvështrimi i politikave monetare dhe fiskale.

Pjesëmarrja e guvernatorëve dhe ministrave të financave kontribuoi në zhvillimin e diskutimeve proaktive dhe në shqyrtimin e qasjeve të përbashkëta për adresimin e sfidave ekonomike dhe financiare në nivel rajonal.

I mbajtur në format të mbyllur si çdoherë, ky sesion shënoi përmbylljen e javës intensive të Takimeve Pranverore 2026 në Washington DC.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimin e FMN‑së për themelimin e SEETAC Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori Ismaili përfundon me sukses Takimet Pranverore 2026 të FMN-së dhe BB-së në Washington DC