Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha, mori pjesë si panelist në diskutimin e nivelit të lartë me temën “Mundësimi i së Ardhmes: Si Rregullatorët Përmes Transformimit Digjital Strategjik po Hapin dhe Integrojnë Tregjet”, së bashku me përfaqësues nga Banka Kombëtare e Rumanisë dhe Autoriteti Kombëtar Rregullativ i Telekomunikimeve të Rumanisë. Paneli trajtoi mënyrën se si rregullatorët dhe vendimmarrësit po adresojnë mundësitë dhe sfidat e transformimit digjital në sektorin financiar.

Në ndërhyrjen e tij, Zëvendësguvernatori Fusha theksoi rëndësinë e reformave të vazhdueshme në sistemet e pagesave dhe infrastrukturën financiare të Kosovës, duke nënvizuar se transformimi digjital është në qendër të agjendës strategjike të BQK-së. Ai veçoi:

  • Miratimin e Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe përgatitjen e kornizës ligjore për anëtarësim në SEPA, përmes përafrimit të kuadrit të Kosovës me standardet e BE-së; dhe
  • Zhvillimin e një Sistemi të Pagesave të Shpejta në bashkëpunim me Bankën e Italisë dhe vendet e rajonit, i konceptuar për të ofruar pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase në kosto për qytetarët dhe bizneset.

Këto hapa strategjikë do të reduktojnë kostot, do të lehtësojnë dërgesat nga jashtë dhe do të thellojnë integrimin financiar të Kosovës me tregun evropian.

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi gjithashtu mundësitë afatgjata që sjellin financat digjitale për gjithëpërfshirjen financiare, veçanërisht në mundësimin e qasjes më të gjerë në shërbime të sigurta dhe të përballueshme për grupet me qasje të kufizuar në sistemin financiar.

Ai vuri në dukje se BQK po përfiton nga përvojat e vendeve të rajonit dhe tregjeve të avancuara të BE-së, duke i përshtatur zgjidhjet sipas kontekstit vendor të Kosovës.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë që inovacioni të zhvillohet brenda një kornize që garanton stabilitet, qëndrueshmëri dhe mbrojtje të konsumatorit”, theksoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Diskutimi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet rregullatorëve financiarë, të telekomunikimeve dhe të teknologjisë, si dhe sektorit privat, për ndërtimin e ekosistemeve të sigurta dhe inovative që mund të mbështesin rritjen edhe në periudha me paqëndrueshmëri më të lartë.

Pjesëmarrja e BQK-së në këtë aktivitet riafirmon angazhimin e vazhdueshëm për modernizim, bashkëpunim rajonal dhe përafrim të infrastrukturës financiare të Kosovës me standardet evropiane.

Guvernatori Ismaili: BQK e përkushtuar për një sektor të qëndrueshëm dhe konkurrues të sigurimeve Guvernatori Ismaili mirëpriti në takim delegacionin e lartë të Bankës së Rezervës Federale të New York – FED (Bankës Qendrore Amerikane)