Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, priti delegacionin e lartë të Bankës së Rezervës Federale të New York-ut (FED) për diskutime lidhur me bashkëpunimin dhe llogarinë e BQK-së në FED.

Guvernatori Ismaili mirëpriti delegacionin gjatë vizitës së tyre në BQK, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar nga FED për menaxhimin e rezervave të BQK-së në FED, si dhe për ngritjen e kapaciteteve të stafit të BQK-së përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi një përmbledhje të zhvillimeve kryesore makroekonomike dhe financiare në vend, progresin e reformave sektoriale strategjike, si dhe reformave të brendshme institucionale me qëllim avancimin e kapaciteteve organizative dhe përmirësimin e qeverisjes së brendshme, në linjë me rekomandimet e institucioneve partnere ndërkombëtare. Palët diskutuan mbi përdorimin nga ana e BQK-së të shërbimeve të investimit dhe menaxhimit të rezervave në FED New York, duke rikonfirmuar interesin e BQK-së për vazhdimin e bashkëpunimit.

Më pas, Guvernatori Ismaili informoi delegacionin mbi veprimet e ndërmarra nga BQK për integrimin financiar të vendit në tregun e Bashkimit Evropian, veçanërisht në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe zhvillimet në infrastrukturën e sistemit të pagesave të shpejta – TIPS Clone, e cila pritet të rrisë efikasitetin dhe përfshirjen financiare në vend. U theksuan gjithashtu avancimet në zhvillimin e infrastrukturës për qendrat e depozitimit të letrave me vlerë (CSD), përmirësimin e standardeve teknike dhe zbatimi i Kodit QR dhe IBAN për institucionet financiare jobankare, të cilat përfaqësojnë një nivel të lartë standardizimit sipas praktikave ndërkombëtare. Po ashtu, u diskutua forcimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve për stafin e BQK-së, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave me ekspertët e FED New York.

Delegacioni i FED New York i kryesuar nga Zëvendëspresidentja e Lartë dhe njëherësh drejtuese e menaxhimit të llogarive të bankave qendrore, falënderoi Guvernatorin Ismaili dhe rikonfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit në menaxhimin e shërbimeve të llogarisë së BQK-së në FED, si dhe në avancimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave. Marrëdhënia e llogarisë së BQK-së në FED ka kontribuar në avancimin e programeve të menaxhimit të rezervave të BQK-së dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të BQK-së në menaxhimin e rezervave dhe menaxhimit të rrezikut.

Në përfundim, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për Bankën e Rezervës Federale për bashkëpunimin e frytshëm në menaxhimin e investimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të BQK-së.

Zëvendësguvernatori Dardan Fusha merr pjesë në Impact CEE – një nga konferencat kryesore të biznesit dhe teknologjisë në Evropën Qendrore dhe Lindore Përmbyllet me sukses Misioni i Asistencës Teknike të FMN-së për forcimin e kornizës mbikëqyrëse dhe makroprudenciale të BQK-së