Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, gjatë fjalës së tij në një konferencë për sigurimet, me pjesëmarrje të gjerë nga institucione vendore e ndërkombëtare, përfaqësues diplomatikë, sektori financiar dhe ai i sigurimeve, theksoi përkushtimin e BQK-së për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve në Kosovë.

Ai vuri në dukje se sektori ka shënuar avancim të dukshëm nder vite, me rritje vjetore të aseteve prej 10%, të primeve prej 14.7% dhe të dëmeve të paguara prej 7.8%, ndërsa norma e kombinuar prej 91.6% dëshmon për një performancë të përmirësuar, me parametra brenda kufijve ligjorë dhe rregullativ.

Guvernatori Ismaili paraqiti gjithashtu avancimet në kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse, me kalimin nga një model të mbikëqyrjes të bazuar në përputhshmëri drejt qasjes së bazuar në rrezik, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në kuadër të reformave në vazhdim, Guvernatori Ismaili njoftoi se BQK-ja është në proces të implementimit të standardit ndërkombëtar SNRF 17 dhe në përgatitje të zbatimit gradual të Solvencës II, me një plan afatmesëm. Po ashtu, përmendi se BQK është duke u punuar në avancimin e rregullativës për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe ndërmjetësimit, transparencën, edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit, me synim forcimin e qëndrueshmërisë dhe transparencës në sektor.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve dhe zhvillimit të produkteve vullnetare të sigurimit, si pjesë e qasjes për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar dhe qasjes më të lehtë në financa, si një fushë që ka nevojë për avancim të dukshëm.

Një sfidë e vazhdueshme që Guvernatori Ismaili e vlerësoi me rëndësi të veçantë është anëtarësimi i Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër. Ai e cilësoi këtë si një interes shtetëror që do të lehtësonte qarkullimin ndërkufitar të automjeteve, do të ulte kostot për qytetarët dhe bizneset dhe do të përshpejtonte integrimin në hapësirën evropiane. Prandaj, BQK mbetet e përkushtuar në sensibilizimin e kësaj çështjeje dhe mbështetjen të vazhdueshme të institucioneve përkatëse në këtë proces.

Në përmbyllje të adresimit, Guvernatori Ismaili ritheksoi angazhimin e BQK-së për realizimin e reformave dhe prioriteteve strategjike, në mbështetjen e iniciativave që avancojnë sektorin, me qëllim të krijimit të një sektori të sigurimeve më të zhvilluar, të qëndrueshëm dhe konkurrues, me efekte pozitive në ekonomi.

Lansohet Platforma e BQK-së për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare: Më shumë transparencë dhe fuqi vendimmarrëse për qytetarët Zëvendësguvernatori Dardan Fusha merr pjesë në Impact CEE – një nga konferencat kryesore të biznesit dhe teknologjisë në Evropën Qendrore dhe Lindore