Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, organizoi një punëtori dedikuar pagesave të shpejta dhe platformës TIPS Clone, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit bankar dhe ekspertizës ndërkombëtare.

Në hapje, Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Dardan Fusha, theksoi rëndësinë strategjike të pagesave të shpejta për sektorin financiar të Kosovës. Ai nënvizoi se projekti, i cili është në zhvillim në bashkëpunim me Bankën e Italisë, është një ndër reformat më transformuese të infrastrukturës financiare të ndërmarra në vend.

“Kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen më të shpejtë të pagesave, por me ndërtimin e një infrastrukture moderne financiare që siguron pagesa të sigurta, efikase dhe të harmonizuara plotësisht me standardet evropiane. Me këtë sistem, pagesat do të kryhen nga për disa orë apo ditë në disa sekonda, duke qenë të disponueshme 24/7 për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike”, nënvizoi ai.

Z. Fusha gjithashtu theksoi se pagesat e shpejta, do të nxisin përfshirjen financiare, uljen e kostove të transaksioneve dhe krijimin e shërbimeve të reja digjitale, si pagesat përmes QR Kodit në shitje me pakicë dhe mundësi të reja për e-Commerce, duke mundësuar inovacion, konkurrencë të drejtë dhe shërbime më të mira për përdoruesit.

Në emër të bashkë-organizatorit nga Shoqata e Bankave të Kosovës, Kryeshefi Ekzekutiv, z. Petrit Balija, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për implementimin me sukses të reformave të tilla transformuese. Ai vuri në dukje se sektori bankar është plotësisht i angazhuar dhe po punon intensivisht drejt agjendës së pagesave të shpejta dhe digjitale, e cila mbetet prioritet kryesor.

Gjatë punëtorisë, eksperti ndërkombëtar z. Kjeld Herreman, i angazhuar me mbështetjen e Bankës Botërore, për të pranishmit nga sektori financiar prezantoi aspektet teknike dhe operacionale të platformës së TIPS Clone, duke ndarë praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Diskutimet përfshinë, mundësitë që sjellin pagesat e shpejta për bankat dhe konsumatorët, kornizën ligjore dhe praktikat në Bashkimin Evropian, dokumentacionin e skemës dhe hapat e implementimit, menaxhimin e likuiditetit, sigurinë dhe parandalimin e mashtrimeve, si dhe ndikimin e operimit 24/7 në IT dhe proceset operative.

BQK theksoi se bashkëpunimi me Bankën e Italisë i ofron Kosovës qasje në një nga platformat më të avancuara evropiane, duke i mundësuar vendit të hyjë në një epokë moderne të pagesave me të njëjtat standarde të euro zonës. Për më tepër, anëtarësimi më pas në SEPA, do t`i jepte një tjetër dimension shtesë kësaj reforme infrastrukturore, duke mundësuar pastaj pagesa ndër-kufitare me kosto të ultë, efikase dhe të sigurt.

Zbatimi i suksesshëm i pagesave të shpejta, mbështetet në përpjekjet e përbashkëta të BQK-së dhe sektorit bankar, prandaj kjo punëtori shënon edhe një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sektorit dhe avancimin e përgatitjeve dhe njohurive në këtë drejtim. BQK mbetet plotësisht e angazhuar për të modernizuar sistemin e pagesave në pajtim me planin strategjik dhe me përkrahje të plotë nga partnerët strategjik ndërkombëtar.

BQK me kornizën e parë rregullative për Kripto-Asetet në Kosovë: Hapi i parë drejt rregullimit gradual dhe transparencës Guvernatori Ismaili takohet me përfaqësues të Ambasadës gjermane dhe GIZ-it mbi iniciativën për avancimin e infrastrukturës së sistemit financiar