Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori, z. Dardan Fusha, zhvilloi një takim me përfaqësues të Ambasadës Gjermane dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në Kosovë. Delegacioni u udhëhoq nga z. Daniel Alker, Shefi i Bashkëpunimit në Ambasadë dhe z. David Oberhuber, Drejtori i GIZ Kosovë.

Takimi u fokusua në inicimin e projektit për modernizimin e infrastrukturës së sistemit financiar dhe zgjerimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet financiare. Guvernatori Ismaili ofroi informacione mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar, reformat në vazhdim të BQK-së, si dhe progresin e arritur në realizimin e objektivave të Planit Strategjik.

Diskutimet u përqendruan në projektin që synon forcimin dhe modernizimin e mëtejshëm të BQK-së dhe infrastrukturës së sistemit financiar, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së, duke u fokusuar në:

  • Modernizimin e infrastrukturës së BQK-së për procesimin e valutave, përfshirë automatizimin dhe mbrojtjen nga falsifikimi, si dhe avancimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur zhvillimet rregullatore; dhe
  • Zgjerimin e infrastrukturës për pranimin e pagesave elektronike, promovimin e edukimit financiar dhe iniciativat për përfshirjen financiare, në drejtim të reduktimit të përdorimit të parave të gatshme.

Përfaqësuesit e institucioneve gjermane shprehën angazhimin për të bashkëpunuar me BQK-në në këtë projekt, në përputhje me objektivat e Qeverisë Gjermane për mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar në Kosovë.

Guvernatori Ismaili theksoi përputhshmërinë e kësaj iniciative me projektin aktual që  mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila fokusohet në ruajtjen e integritetit të monedhës euro, në vijim të marrëveshjes së fundit të bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane (BQE).

Të dy palët konfirmuan angazhimin për të vazhduar diskutimet për përgatitjen e marrëveshjes së projektit dhe aranzhimeve të tjera teknike të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të tij.

Në fund, Guvernatori Ismaili shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme nga institucionet gjermane, duke përfshirë edhe bashkëpunimin e frytshëm me Deutsche Bundesbank.

Mbahet punëtoria mbi pagesat e shpejta dhe projektin e TIPS Clone për të diskutuar aspektet teknike dhe operacionale për zbatim të suksesshëm Publikimi i statistikave për pozicionin e Sektorit të Jashtëm për tremujorin e dytë 2025 dhe Bilancit të Pagesave për muajin korrik 2025