Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të përgjegjësive që dalin nga Ligji Nr. 08/L-295 për Kripto-Asete ka miratuar Rregulloren për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve që ofrojnë shërbimin e këmbimit të kripto-aseteve. Hartimi i kësaj Rregulloreje është zhvilluar në konsultim me autoritetet përgjegjëse këtij Ligji dhe në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që kanë kontribuar në këtë proces.

Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve e hartuar në bazë të Ligjit Nr. 08/L-295 për Kripto-Asete dhe Rregullores së BE-së për Tregjet e Kripto-Aseteve (MiCA), vendos themelet për krijimin e një tregu të rregulluar dhe transparent të kripto-aseteve në Kosovë. Kjo shënon hapin e parë drejt licencimit të operatorëve të kripto-aseteve në vend, ndërsa do të pasohet nga zhvillime të tjera rregullative e mbikëqyrëse në kuadrin e një qasjeje graduale të mbështetur nga asistenca teknike e FMN-së, në përputhje me strategjinë e BQK-së për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Rregullorja përcakton kërkesat ligjore, rregullative dhe procedurale për licencimin dhe funksionimin e operatorëve të këmbimit të kripto-aseteve, qoftë me paratë fiat (përfshirë ATM-të) apo me kripto-asete të tjera. Gjithashtu, përcaktohen kriteret për aplikim, marrjen dhe mirëmbajtjen e licencës, qeverisjen korporative, kërkesat për kapital, ruajtjen e fondeve të klientëve, detyrimin për të vepruar me ndershmëri dhe profesionalizëm, shpalosje dhe transparencë, masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, masat korrigjuese dhe administrative dhe aspekte tjera të rëndësishme.

Duke qenë një fushë e re e rregullimit, BQK do të organizojë një punëtori për të prezantuar kornizën ligjore të miratuar si dhe qasjen rregullatore lidhur me kripto-asetet, ku palët e interesuara do të informohen në mënyrë më të detajuar mbi këto zhvillime. Me këtë rast BQK fton palët e interesuara të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në këtë punëtori duke dërguar e-mail në adresën: [email protected], ndërsa të interesuarit me pas do të njoftohen me detajet e organizimit.

BQK mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse, ruajtjes së stabilitetit financiar si dhe nxitjes së zhvillimit të një tregu të qëndrueshëm të kripto-aseteve në Kosovë duke reflektuar qasje të kujdesshme në pajtim me praktikat më të mira evropiane.

Rregulloren për Licencimin e Operatorëve të Kripto-Aseteve mund ta gjeni në web-faqen e BQK-së në këtë lidhje: Rregullore për licencimin e operatorëve të shërbimeve të kripto-aseteve që ofrojnë shërbimin e këmbimit të kripto-aseteve.

BQK forcon kornizën rregullative për Menaxhimin e Rreziqeve Kibernetike të institucioneve financiare në pajtim me standardet ndërkombëtare Mbahet punëtoria mbi pagesat e shpejta dhe projektin e TIPS Clone për të diskutuar aspektet teknike dhe operacionale për zbatim të suksesshëm