Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të përmbushjes së vizionit për rritjen e transparencës, gjithëpërfshirjes financiare dhe fuqizimit të qytetarëve në marrjen e vendimeve të informuara financiare, ka lansuar zyrtarisht në një ceremoni Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare.

Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, në ceremoninë e lansimit të Platformës theksoi se lansimi i sotëm i Platformës përben një hap konkret dhe të rëndësishëm drejt avancimit të transparencës dhe fuqizimit të konsumatorëve, i cili ju jep përdoruesve një instrument për të krahasuar dhe zgjedhur produktet që u përshtaten më së miri nevojave të tyre, duke forcuar njëkohësisht besueshmërinë ndaj sektorit financiar si dhe përgjegjshmërinë e institucioneve financiare.

Në cilësinë e financuesve, pjesë e ceremonisë së lansimit ishin edhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Ambasadori Aivo Orav dhe përfaqësuesja nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore znj. Venera Hoxha, të cilët mbajtën një fjalë përshëndetëse.

Për të ndërtuar një zgjidhje që reflekton nivelin e zhvillimit të sektorit financiar në vend ka shërbyer korniza rregullative dhe mbikëqyrëse, standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Megjithatë, kjo Platformë është unike nga aspekti i përfshirjes së gjithë sektorit, si dhe numri të produkteve dhe shërbimeve të standardizuara, dhe të vendosura në të.

Platforma përmban të dhëna nga 50 institucione financiare, përfshirë bankat, institucionet mikrofinanciare, institucionet jobankare dhe kompanitë e sigurimeve. Ajo pasqyron 17 kategori produktesh, të ndara në 60 nënprodukte dhe 203 ndarje të detajuara, me mbi 10 mijë informacione për krahasim dhe vendimmarrje.

Platforma është e qasshme në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze përmes faqes zyrtare të BQK-së ose drejtpërdrejt nga linku i dedikuar [https://krahaso.bqk-kos.org/] dhe ofron neutralitet dhe qasje të thjeshtë. Platforma do të operojë në fazë testuese deri në fund të vitit, me qëllim të harmonizimit dhe adaptimit me kërkesat teknike dhe rregullative.

Për këtë qëllim, paraprakisht BQK ka miratuar Rregulloren për Platformën për Krahasim te Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, si dhe udhëzuesit përkatës me të gjitha detajet e nevojshme për zbatim. Për ta lehtësuar përdorimin, BQK ka përgatitur edhe materiale shpjeguese, video-udhëzuese, fjalor të termave financiarë dhe një seksion me pyetje të shpeshta.

Sipas rregulltivës së miratuar, institucionet financiare kanë detyrim ligjor që të raportojnë dhe përditësojnë të dhënat e produkteve dhe shërbimeve të tyre në Platformë. Prandaj është përgjegjësi e institucionit financiar të vendos dhe mirëmbajë të dhëna të sakta që  përfaqësojnë tarifat zyrtare të publikuara nga institucioni financiar.

Përveç funksionit informues, Platforma do të shërbejë edhe si mjet mbikëqyrës i BQK-së, duke siguruar që institucionet financiare të ofrojnë të dhëna të sakta dhe në përputhje me rregulloret.

Edukimi financiar mbetet një nga prioritetet strategjike të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të zgjeruar njohuritë e qytetarëve lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, që ata të kenë mundësi të negocimit të kushteve dhe marrjes së vendimeve të mirëinformuara. Në këtë kontekst, janë ndërmarrë aktivitete të shumta edukative dhe informuese, derisa një ndër përpjekjet më të rëndësishme veçohen zhvillimi dhe sot edhe lancimi i Platformës për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare.

Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje, Guvernatori Ismaili theksoi se Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare që u lansua sot në këtë format nuk është vetëm një projekt teknik, por një hap strategjik i BQK-së drejt një tregu financiar më transparent, më konkurrues dhe më të drejtë për të gjithë. Megjithatë, Platforma si mjet për të krahasuar, analizuar dhe marrë vendime të informuara mbi produktet dhe shërbimet financiare që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenie nga qytetaret, nuk zëvendëson të drejtën apo nevojën e qytetarëve për hulumtuar tregun për produkte apo tarifa preferenciale nga sektori financiar.

Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore dhe të bashkëfinancuar nga Bashkimit Evropian. Me këtë rast, BQK shpreh falënderimin e saj për partneritetin me Bashkimin Evropian dhe EFSE, si dhe për institucionet financiare për kontributin në ofrimin e të dhënave të nevojshme dhe funksionimin e Platformës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me këtë projekt riafirmon përkushtimin e saj në promovimin e edukimit financiar, mbrojtjes së konsumatorit, inovacionit dhe avancimit të komunikimit me të gjitha palët e interesuara, ndërsa mbetet e përkushtuar që në linjë me zotimet strategjike për të avancuar sektorin financiar.

BQK forcon kapacitetet institucionale drejt integrimit në Sistemin e Bankave Qendrore Evropiane përmes Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor Guvernatori Ismaili: BQK e përkushtuar për një sektor të qëndrueshëm dhe konkurrues të sigurimeve