Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka marrë pjesë në ceremoninë e përfundimi me sukses të Fazës së Dytë të Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor, që ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe standardeve drejt integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (ESCB). Pjesëmarrësve në ceremoninë e përmbylljes që u mbajt në Frankfurt të Gjermanisë, ju drejtua me një fjalë rasti Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, z. Burkhard Balz.

Gjatë 36 muajve të programit të realizuar nga Deutsche Bundesbank në partneritet me bankat qendrore të Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Greqisë, Spanjës, Francës, Kroacisë, Irlandës, Italisë, Lituanisë, Luksemburgut, Hungarisë, Holandës, Austrisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë, si dhe me kontributin e Bankës Qendrore Evropiane, BQK ka qenë pjesë aktive e një sërë aktivitetesh që kanë ndikuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të saj.

Në kuadër të programit u zhvilluan 20 trajnime të specializuara dhe 4 punëtori të politikave në nivel të lartë, ku BQK mori pjesë krahas bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit. Përveç këtyre, BQK përfitoi nga 9 aktivitete bilaterale, të realizuara me bankat qendrore të Austrisë, Luksemburgut, Italisë, Lituanisë, Sllovenisë dhe Holandës, si dhe me Autoritetin kroat të Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare.

Fushat kryesore të mbështetjes përfshinin qeverisjen, menaxhimin e rrezikut, qëndrueshmërinë operacionale, mbikëqyrjen bankare, luftën kundër pastrimit të parave, stabilitetin financiar, sistemet e pagesave, statistikat dhe digjitalizimin. Përmes këtyre aktiviteteve, BQK jo vetëm që ka përforcuar kapacitetet e saj të brendshme, por ka avancuar ndjeshëm në adoptimin e standardeve, duke përparuar në rrugën drejt integrimit evropian dhe duke nxitur komunikimin e bashkëpunimin rajonal.

BQK shpreh mirënjohjen e saj për Bashkimin Evropian për financimin e programit në kuadër të Instrumentit të Asistencës Para-Anëtarësimit (IPA III),  Deutsche Bundesbank për menaxhimin dhe koordinimin e tij, si dhe për Bankën Qendrore Evropiane dhe bankat qendrore pjesëmarrëse të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore për kontributin e dhënë në realizimin me sukses të programit.

Publikimi i statistikave për BQK-në (Pasqyra, Bilanci i Gjendjes dhe Asetet Rezervë) për muajin gusht 2025 Lansohet Platforma e BQK-së për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare: Më shumë transparencë dhe fuqi vendimmarrëse për qytetarët