Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim konstruktiv me z. Hubert Perr, Shef i sapo emëruar i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i shoqëruar nga ekipi i tij.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj z. Perr dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Ai gjithashtu vlerësoi partneritetin e fuqishëm që BQK gëzon me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe me drejtoritë e ndryshme të Komisionit Evropian, duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet e BE-së luan një rol kyç në avancimin e agjendës reformuese të BQK-së dhe në mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar të Kosovës.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi një pasqyrë të plotë të aktiviteteve dhe reformave në vazhdim të BQK-së, të orientuara drejt përafrimit të mëtejmë me legjislacionin dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Ai informoi z. Perr për progresin e arritur drejt integrimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), krashas sfidave të reja ligjore, duke theksuar se ky proces do të rrisë ndjeshëm efikasitetin e sistemeve të pagesave dhe do të sigurojë përputhshmëri të plotë me standardet e BE-së. Po ashtu, ai theksoi përpjekjet e shtuara të BQK-së në avancimin e legjislacionit, reformave mbikëqyrëse, forcimin e sovranitetit financiar dhe monetar, si dhe në luftimin e falsifikimit të monedhës euro.

Guvernatori Ismaili nënvizoi interesimin dhe rolin aktiv të BQK-së në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, duke theksuar se institucioni vazhdon të kontribuojë në komponentët kyç të sektorit financiar që mbështesin zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës, në varësi të miratimit parlamentar.

Po ashtu, ai ofroi përditësime mbi zhvillimet legjislative, përfshirë Ligjin e ri për Bankat, nevojën për riprocedimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, si dhe Ligjit të përditësuar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (AML). Këto iniciativa synojnë përafrimin e mëtejmë të kornizës rregullative të Kosovës me direktivat dhe pritjet mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian. Diskutimi përfshiu gjithashtu punën e vazhdueshme të BQK-së lidhur me rregullimin dhe monitorimin e kripto-aseteve, në përputhje me qasjet evropiane në zhvillim në këtë fushë dinamike.

Takimi theksoi gjithashtu mundësitë për thellimin e bashkëpunimit përmes programit TAIEX, veçanërisht në forcimin e ekspertizës teknike, kapaciteteve mbikëqyrëse dhe harmonizimit rregullativ.

Guvernatori Ismaili dhe z. Perr diskutuan gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë të BQK-së me Komisionin Evropian dhe shërbimet e tij, si dhe me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), duke vlerësuar se këto partneritete janë thelbësore për forcimin e stabilitetit financiar, mbikëqyrjen efektive dhe përafrimin rregullativ. Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili dhe z. Perr theksuan arritjen e rëndësishme të realizuar gjatë vitit të kaluar në luftën kundër falsifikimit të euros, në kuadër të projektit TAIEX, përmes përgatitjes së bazës ligjore dhe institucionale.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili e informoi z. Perr për aktivitetet e BQK-së lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, duke theksuar rolin e vazhdueshëm në mbështetjen e mbulimit ndërkombëtar të sigurimeve dhe lëvizshmërisë ndërkufitare. Ai nënvizoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme në këtë drejtim, për shkak të kontributit të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, integrimin financiar dhe bashkëpunimin rajonal.

Z. Perr mirëpriti progresin e prezantuar dhe rikonfirmoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur reformat institucionale të Kosovës përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm, asistencës teknike dhe përafrimit me standardet evropiane, duke vlerësuar BQK-në si një partner shumë të angazhuar dhe të çmuar.


Në përfundim të takimit, të dyja palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt përafrimit rregullativ, mbikëqyrës dhe operacional me Bashkimin Evropian.

BQK merr pjesë në Punëtorinë e 9-të Vjetore të FMN-së për Siguri Kibernetike në Washington DC Publikimi i statistikave financiare për institucionet tjera financiare (jobanka) për muajin dhjetor 2025