Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim zyrtar Drejtorin Ekzekutiv të Odës Sllovene të Bizneseve në Kosovë, z. Bajram Fusha me bashkëpunëtor.

Guvernatori Ismaili e informoi lidhur me aktualitetet e sektorit financiar dhe angazhimin e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar, krijimin e politikave të qëndrueshme që kontribuojnë në promovimin e edukimit dhe gjithëpërfshirjes financiare.

Gjatë takimit u diskutua për veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në drejtim të avancimit të sistemit të pagesave, përfshirë lehtësirat e pritshme për bizneset nga anëtarësimi i Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe zhvillimet lidhur me projektin për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta – TIPS Clone, të cilat u mirëpriten dhe mbështeten nga ana e Odës Sllovene të Bizneseve, dhe për të cilat një komunikim i vijueshëm është i nevojshëm.

Gjithashtu, u diskutua për kornizën rregullative të sektorit financiar, mundësitë aktuale të qasjes në financa, ndërsa u përmend nevoja e biznesit për avancimin e rregullativës për të mundësuar kanale alternative të financimit përmes tregut të kapitalit, disponuesherinë e të dhënave të publikuara mbi ekonominë dhe sektorin financiar të cilat mund të shfrytëzohen nga publiku dhe bizneset, si dhe nga shoqatat e biznesit në aspekt të promovimit të profilit të vendit. 

Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i Odës Sllovene të Bizneseve në Kosovë z. Fusha, si një Odë e biznesit e financuar nga Ministria përkatëse për Ekonomi e Sllovenisë, prezantoi aktivitetet e ndërmarra për promovimin e ekonomisë së Kosovës tek investitorët sllovenë, ndërsa falënderoi Guvernatorin Ismaili për përkushtimin në diskutimin rreth qasjes në financa për bizneset. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për përmirësimin e klimës investuese, si dhe dialogut të nevojshëm për politikat publike në interes të vendit.

Takimi është në vazhdën e avancimit të dialogut institucional me organizatat profesionale dhe palët e interesit në fushat me interes të përbashkët publik.

Guvernatori Ismaili priti Ambasadorin e ri të Hungarisë, z. László István Dux: Diskutohen zhvillimet dhe reformat në sektorin financiar Publikimi i statistikave financiare për institucionet tjera financiare (jobanka) për muajin qershor 2025