Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatoren znj. Nesrin Shileku-Shala, priti në takim Ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, SH. T. z. László István Dux, i shoqëruar nga Atasheu Ekonomik dhe Tregtar, z. Áron Kerékgyártó, të cilin e ka informuar lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe për qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar.

Fillimisht Guvernatori Ismaili e uroi z. Dux për emërimin e tij, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm më Ambasadën Hungareze dhe shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij ndaj ekonomisë së Kosovës përmes programeve të bashkëpunimit, dhe në veçanti sistemit financiar, duke përfshirë Bankën Qendrore të Hungarisë, si pjesë e Konstituencës së Kosovës në FMN dhe Bankë Botërore.

Me pas, ai e informoi Ambasadorin Dux për veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në përgatitje për aplikimin e pritshëm për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke përmendur edhe sfidën aktuale nga mos publikimi i ligjeve të sektorit financiar për shkak të shqyrtimit kushtetues, si dhe zhvillimet në projektin për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta – TIPS Clone, i cili pritet të rrisë efikasitetin dhe gjithëpërfshirjen financiare në vend.

Në takim u prezantuan gjithashtu reformat e brendshme institucionale të ndërmarra nga BQK-ja, të cilat synojnë avancimin e kapaciteteve organizative dhe përmirësimin e qeverisjes së brendshme, në linjë me rekomandimet nga institucionet partnere ndërkombëtare.

Tutje, Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e BQK-së për institucionet e Hungarisë në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilat vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e institucionit që drejton për të forcuar integritetin e sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Në përfundim të takimit, palët rikonfirmuan përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin për të mbështetur rrugën e BQK-së në avancimi e kornizës ligjore në pajtim me standardet e BE-së si dhe për integrimin e Kosovës në mekanizmat relevante evropiane.

Guvernatori Ismaili mirëpret z. Burkhard Balz, Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bundesbankës Gjermane Guvernatori Ismaili priti Drejtorin Ekzekutiv të Odës Sllovene të Bizneseve në Kosovë, z. Bajram Fusha