Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, me delegacionin e tij,  në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), u mirëprit ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga Drejtoresha në Detyrë, znj. Audrey Linthorst, drejtues tjerë të lartë dhe ekipi i saj.

Takimi riafirmoi partneritetin e fortë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në projektin aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit në fusha që janë diskutuar më parë.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart rifillimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, ai vlerësoi lartë rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar funksionet kryesore dhe kapacitetet e BQK-së.

Delegacioni i BQK-së e informoi ekipin e Thesarit mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, masat e marra për të luftuar monedhat false dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit financiar, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për mbikëqyrje të bazuar në rrezik.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.

Nga ana e tyre, udhëheqësit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar projektet ekzistuese dhe për të zgjeruar bashkëpunimin nën programin e ri të asistencës teknike.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të promovuar një sektor të fortë financiar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira  ndërkombëtare.

Guvernatori Ismaili takon Drejtoreshën e Institutit për Zhvillim të Kapaciteteve të FMN-së, znj. Catriona Purfield për të diskutuar projektin e ri të asistencës teknike mbi kornizat makroekonomike Guvernatori Ismaili takohet me Drejtorët Ekzekutiv të FMN-së dhe Bankës Botërore, z. Yigit Yasar dhe znj. Nathalie Francken