Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Cakaj dhe anëtarë të delegacionit të BQK-së, zhvilloi një takim me znj. Catriona Purfield, Drejtoreshë e Institutit për Zhvillim të Kapaciteteve (ICD) në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe ekipin e saj, për të diskutuar projektin e ri të Asistencës Teknike (AT) që ka për qëllim forcimin e kornizave makroekonomike.

Në fillim të takimit, delegacioni i BQK-së informoi ekipin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe reformat e vazhdueshme që po zbatohen për forcimin e stabilitetit financiar dhe efektivitetit të politikave. Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e këtij projekti të AT-së për forcimin e kapaciteteve analitike dhe vendimmarrëse të BQK-së, në funksion të qëndrueshmërisë afatgjatë institucionale.

Projekti synon të përmirësojë aftësitë e BQK-së në modelimin makroekonomik, parashikimin dhe analizën e skenarëve, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kjo nismë pason misionin e fundit vlerësues të FMN-së në Kosovë dhe bazohet në mbështetjen e dakorduar pas kërkesës zyrtare të BQK-së për asistencë teknike.

Ky projekt shumëvjeçar mbi kornizat makroekonomike synon të ndërtojë një infrastrukturë të fortë analitike që do të forcojë kapacitetet e BQK-së për parashikim makroekonomik dhe analizë të politikave. Kjo bazë e përforcuar analitike do të mbështesë zhvillimin e skenarëve për diskutime të politikave, stres testin makro-financiar dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna, si në kuadrin makroprudencial ashtu edhe në politikat e tjera, duke kontribuar në stabilitetin e përgjithshëm të sistemit financiar.

Znj. Purfield shprehu mirënjohjen e saj për pjesëmarrjen e Guvernatorit Ismaili si panelist në sesionin e nivelit të lartë “Forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar në kohë të pasigurive – ndërtimi i kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion”, duke rikonfirmuar angazhimin e FMN-së për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe zbatim të suksesshëm të këtij projekti.

BQK shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së dhe vlerësoi kontributin e rëndësishëm të të gjitha projekteve të asistencës teknike në forcimin e kapaciteteve analitike, mbikëqyrëse dhe të politikëbërjes së institucionit.

Guvernatori Ismaili mori pjesë dhe prezantoi në takimin e Konstituencës së Bankës Botërore Guvernatori Ismaili mirëpritet në Thesarin e Shteteve të Bashkuara nga Drejtoresha e Zyrës për Asistencë Teknike, znj. Audrey Linthorst