Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, po realizon një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), me ftesë të Ministrit të Shtetit për Tregti të Jashtme të EBA-së dhe njëherësh President i Kongresit Ndërkombëtar të Investimeve (AIM), Dr. Thani Al Zeyoudi. Ai po merr pjesë në edicionin e 14-të të AIM 2025, që po mbahet nga 7 deri më 9 prill në Abu Dhabi.

Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse dhe takimeve bilaterale, Guvernatori Ismaili ishte pjesëmarrës në Tryezën e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore, e cila u udhëhoq nga Dr. Mohieldin i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Financim të Agjendës 2030. Kjo tryezë shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve mbi sfidat dhe mundësitë ekonomike në një botë multipolare, si dhe mbi ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike në stabilitetin financiar global.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë. Ai theksoi prioritetet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, adresimin e rreziqeve që burojnë nga transformimi digjital dhe teknologjitë e reja, si dhe harmonizimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, ai prezantoi iniciativat për integrimin në sistemet moderne të pagesave dhe theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare.

Gjatë vizitës, Guvernatori Ismaili, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në EBA, Dr. Xhabir Hamiti, u prit në një takim zyrtar nga drejtues të lartë të Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, përkatësisht nga zëvendësguvernatorët përgjegjës për Mbikëqyrjen e Bankave dhe Sigurimeve, si dhe për Operacionet Bankare dhe Shërbimet Mbështetëse. Në këtë takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim ndërinstitucional në fusha me interes të përbashkët, si: mbikëqyrja financiare, mbrojtja e konsumatorit, parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, modernizimin e sistemeve të pagesave, promovimi i përfshirjes financiare dhe bankimi alternativ, si dhe avancimi i kapaciteteve profesionale.

Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit dhe zgjerimit të partneriteteve strategjike mes bankave qendrore, me qëllim forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe nxitjen e inovacionit në sektorin bankar.

Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Guvernatori Ismaili zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe me delegacione nga vende të ndryshme pjesëmarrëse në AIM 2025.

Në kuadër të vizitës, Guvernatori Ismaili mori pjesë edhe në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Me këtë rast, ai takoi ambasadorë, personalitete të njohura ndërkombëtare dhe bashkatdhetarë që jetojnë dhe veprojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje ndaj autoriteteve të Emirateve për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë, si dhe falënderoi Ambasadën e Republikës së Kosovës për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë vizitës zyrtare dhe pjesëmarrjes në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Publikimi i statistikave të Sektorit të Jashtëm për tremujorin e katër 2024 dhe Bilancit të Pagesave për muajin janar 2025 Kryetari i Bordit z. Nurboja dhe Zëvendësguvernatori z. Cakaj marrin pjesë në Forumin e Nëntë të Nivelit të Lartë të FMN-së për Qeverisjen e Bankave Qendrore