Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat e Sektorit të Jashtëm për tremujorin e katër 2024 dhe Bilancit të Pagesave për muajin janar 2025.

Pozicioni i investimeve ndërkombëtare – në tremujorin e katërt 2024, u karakterizuar me rritjen e vlerës së aseteve ndërkombëtare për 156.86 milion euro dhe detyrimeve ndërkombëtare për 459.03 milionë euro. Vlera e akumuluar e aseteve ndërkombëtare në fund të dhjetorit 2024 shënoi 8.24 miliardë euro, ndërsa vlera e detyrimeve 10.36 miliardë euro.

Rritjes së aseteve ndërkombëtare – në tremujorin e katërt 2024 i kanë kontribuar kategoria e investimeve direkte për 60.31 milionë euro, investimeve në letra me vlerë për 146.37 milion euro dhe kategoria investimet tjera me 96.08 milionë euro. Ndërsa, asetet rezervë u zvogëluan  për 145.91 milionë euro.

Në kuadër të detyrimeve të jashtme – gjatë tremujorit të katërt 2024, investimet e huaja direkte në Kosovë janë rritur për 187.34 milion euro, ndërsa investimet tjera u rritën për 271.69 milionë euro.

Borxhi i jashtëm bruto – i cili përfshinë borxhin publik dhe privat në fund të tremujorit të katërt 2024, arriti vlerën 4.23 miliardë euro, e cila paraqet rritje prej 254.61 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak. Kontribuuesi kryesor i rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë ishte sektori privat për 171.31 milionë euro, ndërsa borxhi publik u rrit për 83.29 milionë.

Borxhi i sektorit publik – në fund të vitit 2024 arriti vlerën 955.91 milionë euro duke marrë pjesë me 22.59% në gjithsej borxhin e jashtëm. Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i qeverisë, i cili në fund të tremujorit të katërt 2024 ishte 782.39 milionë euro.

Borxhi i sektorit privat –në fund të tremujorit të katërt 2024 arriti vlerën 3.27 miliardë euro. Pjesëmarrësit në borxhin privat janë: bankat komerciale me 18.86%, kompanitë e investimeve direkte me 29.16% dhe sektorët tjerë me 51.98%.

Bilanci i pagesave – në fund të muajit janar 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 21.36 milionë euro, i cili tregon thellim të deficitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur llogaria rrjedhëse kishte suficit prej 6.78 milionë euro. Shkaktari më i madh i këtij deficiti është rritja e deficitit në bilancin tregtar.

Bilanci tregtar – në mallra gjatë muajit janar 2025 shënoi deficit në vlerë 379.26 milionë euro, i cili është për 31.16% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti shënoi vlerën 61.16 milionë euro, me një rritje prej 0.46%, ndërsa importi shënoi rritje prej 25.82% duke arritur vlerën 440.42 milionë euro.

Llogaria e shërbimeve –e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të janarit 2025 shënoi vlerën e 197.55 milionë eurove, që paraqet nivel më të lartë të bilancit pozitiv për 32.41% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të ardhurat parësore – në fund të janarit 2025 shënuan bilanc pozitiv prej 22.06 milionë euro, të cilat në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 9.94 milionë euro, që paraqet një rritje prej 121.86%.

Të ardhurave dytësore – mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Në janar 2025 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 138.29 milionë euro, që paraqet rritje prej 1.08% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Remitancat – janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave në janar 2025 shënoi 86.14 milionë euro, përafërsisht në nivel të njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin shkurt 2025 ishin rreth 88.12 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 174.26 milion euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit shkurt 2025 kanë qenë përmes IFJB-ve me 62.65%, bankave komerciale me 16.45% dhe kanaleve tjera me 20.90%.

Asetet në llogarinë financiare – në janar 2025 kanë shënuar bilanc pozitiv prej 25.04 milionë euro, ndërsa, detyrimet financiare – kanë shënuar bilanc negativ në vlerë 1.9 milion euro.

Investimet direkte në Kosovë – në janar 2025 ishin 90.96 milionë euro, të cilat paraqesin rritje prej 12.19% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 16.19 milionë euro, me rritje prej 19.12% krahasuar me janar 2024.

Asetet rezervë – deri në janar 2025 janë rritur për 45.95 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin 15.21 milionë euro. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave për 45.95 milionë euro, ndërsa nuk ka pas investime në letra me vlerë gjatë muajit janar 2025.

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

Publikimi i statistikave financiare për institucionet tjera financiare (jobanka) për muajin shkurt 2025 Guvernatori i BQK-së në vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe: Takim në Bankën Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pjesëmarrës si panelist në Kongresin Ndërkombëtar të Investimeve AIM 2025