Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha, mori pjesë në takimin e Konstituencës së FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, mbajtur në nivel të zëvendësve në Lubjanë të Sllovenisë, ku krahas Kosovës morën pjesë përfaqësuesit nga vendet anëtare, si Austria, Belgjika, Republika Çeke, Hungaria, Luksemburgu, Sllovakia, Sllovenia dhe Turqia.

Në vazhdim të konkluzioneve të nxjerra nga Takimet Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) në Washington D.C., diskutimet u përqendruan në perspektivën ekonomike globale, zhvillimet rajonale në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), dhe forcimin e qëndrueshmërisë përballë tensioneve gjeopolitike dhe fragmentimit ekonomik.

Progresi i Kosovës me Programin e FMN-së u vlerësua pozitivisht, veçanërisht për përfundimin me sukses të shqyrtimit të fundit në kuadër të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe përfitimet nga Programit për Rezilencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) , të cilat kanë ndihmuar në stabilitetin makroekonomik dhe zbatimin e reformave.

Pjesëmarrësit trajtuan gjithashtu sfidat globale si ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, inflacionin dhe tensionet tregtare, duke nënvizuar edhe mundësitë që sjell transformimi digjital, tranzicioni i gjelbër dhe rritja gjithëpërfshirëse.

Në takim u rikonfirmua rëndësia e forcimit institucional, qëndrueshmëria fiskale dhe qeverisja e mirë për tërheqjen e investimeve. U theksua gjithashtu nevoja për koordinim të vazhdueshëm të politikave, menaxhim të kujdesshëm makroekonomik dhe përdorim të mbështetjes shumëpalëshe.

Takimi përfundoi me një zotim të përbashkët për përfaqësim dhe bashkëpunim të bashkërenduar brenda konstituencës, duke avancuar reformat dhe politikat që përputhen me objektivat globale për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet financiar.

Guvernatori Ismaili zhvillon takim me ekspertët e lartë të Misionit të FMN-së: Diskutohet mbi progresin e reformës së mbikëqyrjes bankare Publikimi i statistikave të Bilancit të Pagesave për muajin mars 2025