Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat e Bilancit të Pagesave për muajin mars 2025.

Bilanci i pagesave – tremujori i parë i vitit 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 373.26 milionë eurove, që paraqet rritje prej 17.62% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse është kryesisht rezultat i thellimit të deficitit në bilancin tregtar.

Bilanci tregtar i mallrave – deri në fund të muajit mars 2025, shënoi deficit prej 1.29 miliard euro, që paraqet rritje prej 22.35% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti gjatë kësaj periudhe arriti vlerën 204.96 milionë euro, duke shënuar rënie prej 3.46%, ndërsa importi i mallrave arriti në 1.49 miliard euro, që përfaqëson rritje prej 18.01%.

Llogaria e shërbimeve – e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të marsit 2025 arriti vlerën 372.07 milionë euro, që paraqet rritje prej 37.15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të ardhurat parësore – në tremujorin e parë 2025 shënuan bilanc pozitiv prej 81.33 milionë euro, krahasuar me 25.38 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, duke reflektuar një rritje prej 220.48%.

Të ardhurat dytësore – mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Gjatë kësaj periudhe, kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 458.88 milionë euro, që paraqet rritje prej 5.09% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Remitancat – përbëjnë kategorinë kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore. Deri në fund të marsit 2025, vlera e tyre arriti në 291.27 milionë euro, duke shënuar rritje prej 3.65% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas vlerësimeve preliminare, remitancat për muajin prill 2025 ishin 111.66 milion euro, duke e çuar vlerën e përgjithshme për katër muajt e parë të vitit 2025 në 402.93 milionë euro. Edhe gjatë muajit prill, pjesa më e madhe e remitancave është pranuar përmes IFJB-së (55.47%), pasuar nga bankat komerciale (15.79%) dhe kanalet tjera (28.74%).

Asetet në llogarinë financiare – në tremujorin e parë 2025 shënuan bilanc negativ prej 64.65 milionë euro, ndërsa detyrimet financiare shënuan bilanc pozitiv prej 245.69 milionë euro.

Investimet Direkte në Kosovë – gjatë kësaj periudhe, arritën vlerën 223.88 milionë euro, që paraqet rritje prej 4.06% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar. Ndërkaq, investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 73.15 milionë euro, duke përfaqësuar rritje prej 96.29% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Asetet rezervë – deri në fund të marsit 2025 shënuan bilanc negativ prej 18.84 milionë euro, vlerë pothuajse e njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (18.70 milionë euro). Kjo dinamikë është ndikuar kryesisht nga ndryshimet në depozita dhe maturimi i investimeve në letra me vlerë.

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

BQK pjesëmarrëse në takimin e Konstituencës së FMN-së dhe BB-së në Lubjanë Guvernatori Ismaili merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Rritjen dhe Qëndrueshmërinë Ekonomike në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore