Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Rregulloren për Sistemet e Informacionit dhe Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik, e cila vendos një kornizë gjithëpërfshirëse për forcimin e sigurisë digjitale dhe qëndrueshmërisë operacionale në sektorin financiar. Ky hap pasqyron realitetin e transformimit digjital të sektorit financiar, ku teknologjitë e reja dhe përdorimi inovativ i atyre ekzistuese rrisin efikasitetin operativ dhe cilësinë e shërbimeve për konsumatorët. Megjithatë, digjitalizimi sjell edhe ekspozim më të madh ndaj rreziqeve teknologjike dhe kibernetike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe mund të ekspozojnë ndaj rrezikut ekosistemin financiar.

Hartimi i Rregullores është mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe është ndërtuar mbi vlerësimet e industrisë dhe rezultatet e mbi dhjetëra ekzaminimeve të realizuara në vitet e fundit nga fusha relevante. Gjatë procesit janë marrë parasysh kornizat e institucioneve ndërkombëtare si Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen e Bankave, Bashkimi Evropian (DORA dhe NIS2), Bankës Qendrore Evropiane (BQE), si dhe Kornizës së Rrezikut Kibernetik “NIST”. Gjithashtu, konsultime të gjera janë zhvilluar me Bankën Botërore (BB) dhe institucionet financiare vendore, të cilat kanë siguruar që rregullorja të reflektojë nevojat dhe kapacitetet e industrisë, duke përfshirë edhe realizimin e disa sesioneve informuese sqaruese.

Miratimi i kësaj Rregulloreje përfaqëson një hap strategjik drejt ndërtimit të një industrie financiare më të shëndoshë, sigurt dhe më të qëndrueshme. Rregullorja kërkon që institucionet financiare të adoptojnë praktika të forta dhe të qëndrueshme për menaxhimin e teknologjisë dhe rrezikut kibernetik, me standarde të detyrueshme për institucionet financiare, duke respektuar parimin e proporcionalitetit sipas veprimtarisë, madhësisë, kompleksitetit dhe profilit të rrezikut të tyre. Rregulloren mund ta gjeni në web-faqen e BQK-se në këtë lidhje: Rregullore për sistemet e informacionit dhe menaxhimin e rrezikut kibernetik.

Rregullorja lejon përdorimin e teknologjive më të avancuara të nevojshme sipas kompleksitetit dhe shkallës së operacioneve të institucioneve financiare, të cilat do të jenë në fokusin dhe vlerësimin e BQK-së përmes procesit mbikëqyrës, duke forcuar bazën për mbikëqyrje efektive derisa përgatit industrinë për sfidat e transformimit digjital.

Përmes kësaj rregullative, BQK ofron një kornizë të qartë për institucionet financiare, duke i ndihmuar ato të adoptojnë praktika të sigurta dhe të qëndrueshme që mbrojnë jo vetëm infrastrukturën teknologjike, por edhe stabilitetin e përgjithshëm financiar dhe besimin e publikut dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

BQK falënderon partnerët ndërkombëtar për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e hartimit të kësaj kornize rregullative, të parën e kësaj natyre, derisa në pajtim me Planin Strategjik mbetet e përkushtuar që të adresojë në mënyrë të vazhdueshme sfidat e sektorit financiar, me qasje të kujdesshme dhe sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

Guvernatori Ismaili pret në takim ekspertët e Misionit të Bankës Botërore lidhur me projektet për zhvillimin e sektorit financiar – FinDev dhe FinSAC BQK me kornizën e parë rregullative për Kripto-Asetet në Kosovë: Hapi i parë drejt rregullimit gradual dhe transparencës