Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka mirëpritur raportin e publikuar për Kosovën nga Komisioni Evropian, i cili njeh masat e ndërmarra nga ana e BQK-së në rritjen e vazhdueshme dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar.

Raporti ka vlerësuar se në gjysmën e parë të këtij viti, kreditë shënuan rritje prej 17%. Rritja e kredive u lehtësua nga normat e ulëta të interesit, rritja e vazhdueshme e depozitave, përmirësimi i zbatimit të kontratave dhe rritja e garancive të dhëna nga Fondi Kosovar për Garanci të Kredive (FKGK) për kreditimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për të zbutur ndikimin e krizës. Gjithashtu, norma mesatare e kredive joperformuese në gjysmën e parë të vitit 2022, ishte 2.1% dhe kjo përqindje u mbajt falë rritjes së lartë të kredive.

Kosova sipas raportit, në mënyrë të moderuar është e përgatitur në fushën e shërbimeve financiare. Gjithashtu, Raporti vlerëson progresin edhe në adresimin e çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara.

Banka Qendrore e Kosovës ka vazhduar të harmonizojë kornizën e saj ligjore me kërkesat e Basel III, sa i përket kapitalit dhe menaxhimit të rrezikut.

Sektori financiar mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht sfidave ekonomike globale për shkak të niveleve të larta të kapitalizimit të sektorit bankar me pronësi të huaj. Në përgjithësi, raporti i kapitalizimit të bankave, mbeti i qëndrueshëm dhe shumë mbi nivelin minimal të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 12%.

Raporti flet edhe për funksionalizimin e Bordit të BQK-së me emërimin e 3 anëtarëve joekzekutivë, duke potencuar gjithashtu domosdoshmërinë  e ruajtjes së pavarësisë së BQK-së.

Raporti gjithashtu ka përmendur edhe moskrijimin e autoritetit të pavarur të rikuperimit dhe përmbylljes, i cili varet nga ndryshimet që duhet t’i bëhen ligjit për bankat, përmes të cilit ky funksion i caktohet Bankës Qendrore dhe duhet të sigurohet që autoriteti të ketë pavarësi funksionale brenda BQK-së.

Gjithashtu, Raporti përfshinë edhe zhvillimet në sektorin e sigurimeve dhe atë të pensioneve, si dhe në zbatimin e vazhdueshëm të masave të Solvencës I dhe fillimin e zbatimin gradual të një udhërrëfyesi 5 vjeçar për zbatimin e masave të Solvencës II.

Sa i përket sigurimeve dhe pensioneve, Banka Qendrore duhet të rritë rolin mbikëqyrës në industrinë e sigurimeve. Në lidhje me liberalizimin e çmimeve në tregun e sigurimeve të detyrueshme, Komisioni ka kërkuar që çfarëdo proces i liberalizimit të çmimeve, duhet të fillojë në mënyrë graduale me qëllim të shmangies së çrregullimeve në treg.

Komisioni Evropian ka sugjeruar që vitin e ardhshëm të harmonizohet më tej korniza ligjore e Kosovës me Direktivën e BE-së për Shërbimet e Pagesave 2, rritjen e përpjekjeve për të luftuar krimin ekonomik dhe financiar, si dhe përafrimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit me aktet (aquis) të BE-së, pastaj forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.

Në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit, theksohet se Divizioni i Ankesave të Shfrytëzuesve të Shërbimeve Financiare  në BQK, trajton shumicën e ankesave në lidhje me shërbimet financiare.

Gjithashtu, theksohet se është bërë progres në mbledhjen dhe raportimin e disa të dhënave në Eurostat, megjithatë nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar mospërputhjet metodologjike në llogaritë kombëtare. Statistikat mujore për tregtinë ndërkombëtare të mallrave janë raportuar në Eurostat. Të dhënat e Bilancit të Pagesave janë përpiluar nga Banka Qendrore dhe janë përgjithësisht në pajtueshmëri me aktet (aquis) të BE-së.

Raportin e plotë të publikuar nga Komisioni Evropian në gjuhën angleze, mund ta gjeni në vegëzën:

https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/kosovo-report-2022_en

IMG_7739-1024x683.jpg

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, shënuar ka Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve, përmes një ligjërate me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Koordinatori për Funksione të Përgjithshme, Labinot Preniqi, ka thënë se qëllimi i organizimit të aktiviteteve edukative nga BQK-ja, ka për qëllim për të nxitur të rinjtë që të krijojnë shprehinë e të kursyerit dhe të ndërgjegjësohen rreth menaxhimit të duhur të financave personale të tyre, pasi zhvillimi i shprehive të kursimeve, do të thotë që në të ardhmen të kesh stabilitet të financave personale.

“E dimë që secili prej nesh pothuajse çdo ditë gjendet në një situatë që duhet të marrë vendim se si do t’i shpenzojmë paratë, dhe kjo nuk është e lehtë sepse gjithmonë kemi nevoja dhe dëshira pafund, ndërsa kemi para apo mjete financiare të limituara, diçka duhet të përzgjedhim e diçka duhet të sakrifikojmë. Sa më shumë t’i kushtojmë rëndësi shprehisë së kursimeve në të ardhmen, dhe sa më te kujdesshëm te jemi rreth menaxhimit të financave personale, aq më të lehtë do ta kemi marrjen e këtyre vendimeve”, ka thënë Preniqi para të pranishmëve.

IMG_7684-1024x683.jpg

Ndërsa, shefi i Kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari, ka prezantuar rolin e BQK-së në ekonomi, ndërkaq nxënësit dhe stafi akademik, parashtruan pyetje rreth funksionimit të sektorit financiar në përgjithësi.

Dita Botërore e Kursimeve u themelua më 31 tetor 1924, gjatë Kongresit të Parë Ndërkombëtar të Bankave të Kursimeve në Milano të Italisë, në të cilin u vendos që Dita Botërore e Kursimeve, të jetë një ditë e dedikuar për promovimin e kursimeve në të gjithë botën.

Kjo ditë shënohet çdo vit, në mënyrë tradicionale nga BQK-ja.

Në këtë ngjarje, BQK  ka shpallur konkurs për Ese për të gjithë nxënësit e shkollave te mesme te Kosovës, dhe ka ftuar të marrin pjesë në konkursin për ese, që do të ketë si temë kursimet dhe që do të jetë për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Kosovës.

Konkursi do të jetë i hapur një muaj dhe pas mbylljes Komisioni përzgjedhës do t’i vlerësojë dhe do t’i përzgjedhë 10 nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen me një shumë monetare.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpall konkurs për nxënësit e klasave X-XII të shkollave te arsimit të mesëm të lartë të Kosovës, të realizojnë punime (Ese) mbi konceptin e tyre për kursimet: çka janë kursimet, si të krijohet shprehia e kursimit të parave, si shpenzohen paratë në mënyrën e duhur, si t’i menaxhojmë kursimet në mënyrën e duhur, etj.

Qëllimi i këtij konkursi është zhvillimi i njohurive dhe nxitja e nxënësve për të zhvilluar të kuptuarit e rëndësisë së kursimeve dhe menaxhimit të duhur të financave personale.

Komisioni përzgjedhës do të vlerësojë punimet dhe do të përzgjedhë 10 nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen me një shumë monetare.

Shpërblimi monetar do të jetë: çmimi i parë 200 € , i dyti 150 € , ndërsa çmimi i 3-10 nga 100 €.

Rregullat e pranimit:

1. Punimi duhet të jetë individual.

2. Punimi duhet të jetë punë krijuese dhe të përcjellë qartë mesazhin e temës.

3. Eseja mund të jetë e shkruar në gjuhën shqipe, serbe apo angleze.

4. Eseja duhet të përmbajë minimumi 700 fjalë, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë e dyfishtë.

5. Eseja duhet të jetë punë origjinale dhe të mos jetë e kopjuar.

6. Nxënësit e interesuar për aplikim mund të aplikojnë duke dorëzuar esetë e tyre në version elektronik (PDF), në [email protected] apo në [email protected]. Punimet gjithashtu mund te dërgohen edhe me shkrim në adresën e më poshtme:

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë

Rr. Garibaldi nr .33, 10000, Prishtinë.

7. Mos harroni të shënoni emrin, mbiemrin, emrin e shkollës tuaj, klasën, nr e telefonit tuajin dhe prindit tuaj dhe e-mailin!

Punimet fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.

Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së punimeve më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues.

BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara.

Data e fundit për dorëzim do të jetë: 30 nëntor 2022.

Suksese!

04.11.2022-1.jpg

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel di Bella, kanë prezantuar deklaratën përmbyllëse të misionit të FMN-së në kuadër të Artikullit IV.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se BQK ka vazhduar të jetë e angazhuar në realizimin e detyrave të saj në mbajtjen dhe ruajtjen e një sistemi financiar stabil dhe vazhdimisht në rritje.

Ai ka thënë se sistemi financiar në Kosovë, ka vazhduar të jetë likuid dhe mirë i kapitalizuar ku në të gjithë indikatorët, ka shënuar rritje dyshifrore, duke qenë një nga faktorët e rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Gjithsej mjetet e sistemit financiar në vend, më 31 gusht 2022, kanë arritur vlerën e përgjithshme prej 9.3 miliardë euro. Ndërsa, mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2022, duke arritur vlerën rreth 6.4 miliardë euro në muajin gusht 2022, e cila paraqet një rritje vjetore prej 11.1 përqind. Në gusht 2022, vlera e përgjithshme e depozitave është në vlerë prej 5.2 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.8 përqind, derisa rritja e depozitave ka vazhduar edhe gjatë muajit shtator, me një prej 12.7 përqind. Sektori bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm duke rritur aktivitetin kredidhënës dhe duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kreditimin e ekonomisë së vendit edhe gjatë këtij viti. Vlera e portofolit kreditor të sektorit bankar në fund të gushtit 2022 ishte në shumë prej 4.2 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 18.6 përqind, derisa norma mesatare e interesit për kredi ishte 6.0 përqind”, ka deklaruar Guvernatori.

04.11.2022-2.jpg

Tutje, Guvernatori Mehmeti ka thënë se kreditë joperformuese kanë vazhduar me trendin rënës dhe sot norma e kredive joperformuese është në nivelin prej 2.1%, që është tregues dukshëm më i mirë krahasuar me vendet e regjionit apo edhe më gjerë.

Gjithashtu, sektori bankar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe likuid, ku treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar shënon 16.1 përqind, që është dukshëm mbi kërkesat rregullatore prej 12 përqind, ndërsa treguesi i likuiditetit është 35.7 përqind, ngjashëm, më lartë se kërkesa rregullatore prej 25 përqind.

Para mediave, Guvernatori ka folur edhe për sektorin e sigurimeve, i cili ka pasur rezultate pozitive.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për kontributin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, Gabriel di Bella, ka thënë se sektori financiar ka përballuar tronditjet që goditën ekonominë dhe një nga faktorët që kanë ndikuar, kanë qenë edhe politikat e ndjekura nga BQK-ja.

04.11.2022-3.jpg

Di Bella ka shtuar se pavarësia e BQK-së është gurë themeli bazë i politikave ekonomike të Kosovës.

Në deklaratën përmbyllëse të Misionit, në kuadër të Nenit IV për vitin 2022, është kërkuar që BQK të vazhdoj të forcojë monitorimin e kreditimit dhe likuiditetit të bankave dhe ruajtja e dinamikës së mirë të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar 2019 (FSSR).

FMN pret që BPV-ja reale të shënojë rritje prej 3 – 4 për qind në vitin 2023 dhe inflacioni gradualisht të lehtësohet, por këto parashikime në thelb varen nga çmimet ndërkombëtare të mallrave, përfshirë energjinë.

Banka Qendrore e Hungarisë (Magayar Nemzeti Bank – MNB) organizoi në Budapest takim për zëvendësguvernatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përgatitjet e nevojshme për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Gjatë këtij takim të mbajtur më 18 nëntor 2024, u diskutuan sfidat me të cilat ballafaqohen bankat qendrore lidhur me përmbushjen e kërkesave të SEPA dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, si dhe roli mbështetës i MNB-së  për këtë proces integrues.

Përfaqësuesit e MNB-së paraqiten përvojën e tyre, duke u fokusuar në aspektet teknike të integrimit në SEPA dhe kornizën e tyre si një model për pajtueshmëri me kërkesat e SEPA, duke përfshirë infrastrukturën dhe operacionet bankare.

Hungaria, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2024, ka për prioritet mbështetjen e procesit të zgjerimit të BE-së, në veçanti lidhur me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, MNB shprehu zotimin e saj për t’i mbështetur bankat qendrore të rajonit në tejkalimin e sfidave që lidhen me funksionet e bankingut qendror, me fokus mundësimin e pagesave nëpërmjet SEPA dhe procesin e integrimit në zonë.

Procesi i integrimit në SEPA paraqet sfida dhe është mjaftë kompleks si për bankën qendrore ashtu edhe për bankat dhe ofruesit tjerë të shërbimeve të pagesave. Megjithatë, ky proces është një hap thelbësor drejtë integrimit të mëtejmë me BE-në dhe rajonin, si dhe për forcimin e procesit të përgjithshëm integrues me BE-në.

Temat e trajtuara gjatë këtij diskutimi u vlerësuan lartë nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e cilësuar këtë një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe me vendet e BE-së, në funksion të avancimit të infrastrukturës financiare dhe ofrimit të shërbimeve financiare më efikase për qytetarët dhe bizneset e rajonit tonë.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, z. Andrew Bailey, i ka dërguar një letër Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili duke e uruar atë dhe BQK-në me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit.

Letra nënvizon progresin e jashtëzakonshëm për ndërtimin nga e para të një banke qendrore moderne dhe vlerëson punën e palodhur dhe vendosmërinë e të gjithë stafit të BQK-së.

Tutje, z. Bailey theksoi rëndësinë e Bankës Qendrore në mbështetjen e ekonomisë së vendit, duke siguruar një sistem të sigurt të pagesave dhe një sistem të besueshëm bankar.

Përveç kësaj, nga Banka e Anglisë ishte deleguar Drejtoresha Ekzekutive e Pagesave të Bankës, znj. Victoria Cleland, e cila mori pjesë në shënimin 25-vjetorit të BQK-së, duke qenë folëse në Konferencën Ndërkombëtare, në panelin e parë me titull “Integrimi në SEPA, transformimi digjital dhe implikimet për shërbimet financiare”.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili ka zhvilluar takime të ndara me drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankës Botërore (BB) dhe Guvernatorë të bankave qendrore të vendeve evropiane. Këto takime, Guvernatori Ismaili i bërë në kuadër të mikpritjes së tij për 25-vjetorin e themelimit të BQK-së, me të cilën zhvilloi punimet Konferenca Ndërkombëtare “Ndërtimi i urave përtej kufijve, ndërtimi i ardhmërive: Integrimi në SEPA për gjithpërfshirje financiare – fuqizimi i rritjes dhe reziliencës”.

Gjatë tri ditëve të organizimit për nderë të 25-vjetorit, Guvernatori Ismaili në ambientet e BQK-së ka takuar z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN, z. Asad Alam, Drejtorin Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore, Rritje të Drejtë, Financa dhe Institucione nga Grupi i Bankës Botërore, pasuar nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, z. Robert Holzmann, Guvernatori i Bankës Qendrore të Islandës, z. Ásgeir Jónsson, Guvernatori i Bankës Qendrore të Estonisë, z. Madis Müller dhe z. Gediminas Šimkus, Guvernator dhe Kryesues i Bordit të Bankës së Lituanisë.

Gjatë këtyre takimeve, krahas falënderimeve për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në organizimin e BQK-së, Guvernatori i BQK-së i ka informuar të pranishmit mbi zhvillimet aktuale në sektorin financiar, duke nënvizuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar, duke vënë në pah performancën e qëndrueshme të sektorit, përfshirë normën e ulët të kredive jo-performuese dhe nivelin e lartë të kapitalizimit.

Po ashtu, i pari i BQK-së shprehu mirënjohjen e thellë ndaj partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, qeverisjen korporative dhe infrastrukturën tjetër financiare.

Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me bankat qendrore partnere, duke e falënderuar shtetet dhe popullin e tyre, për mbështetjen e dhënë nga institucionet e tyre, me të cilën BQK-ja ka bashkëpunim të shkëlqyer në aspekt të asistencës teknike dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Tutje, në takim u theksua rëndësia e këtyre partneriteteve në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar të vendit tonë për të mirën e të gjithë qytetarëve. Prandaj, edhe konferenca e organizuar kishte tematika të tilla aktuale dhe relevante. U diskutua për vizionin strategjik, planin pesëvjeçar, iniciativat që kanë për synim përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, avancimin e rregulloreve dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare si dhe sfidat që na presin.

Takimi rikonfirmoi përkushtimin e palëve për të forcuar bashkëpunimin, ndërtuar komunikim efektiv për të ndarë përvojat, për të promovuar rritjen e qëndrueshme financiare, duke siguruar që sektori financiar të vazhdojë të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare në funksion të ekonomisë dhe vendit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të përmbushjes së vizionit të saj për përmirësim të transparencës, avancimit të komunikimit me publikun, ndërgjegjësimit dhe promovimit të edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjen financiare për të gjithë qytetarët tashmë ka ridizajnuar dhe lëshuar në përdorim web-faqen e saj.

Web-faqja e re e BQK-së shënon një hap para në përmbushjen e objektivave të përcaktuara në Planin e saj Strategjik 2024-2028, që lidhet me digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve për të avancuar mbrojtjen e konsumatorit.

Faqja e internetit e BQK-së do të përdoret gjithashtu si një mjet komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet palëve të interesuara për shkëmbimin e përvojave me BQK-në, njohurive dhe burimeve për të forcuar besimin dhe për të informuar të gjithë qytetarët në kohën më të shpejtë të mundshme.

Funksionet e reja të zhvilluara siç është kalendari dinamik i aktiviteteve, kërkimi gjeneral dhe ai specifik, filtrimi dhe kategorizimi i informacionit varësisht nga kërkesat e lexuesit, video galeria dhe Chat-boti për pyetjet dhe përgjigjet e shpeshta sigurojnë një përvojë më të thjeshtë për të gjitha audiencat, që nga përdoruesit e shërbimeve financiare, niveli akademik dhe deri tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Kjo web-faqe është zhvilluar në përputhje me standardet e sigurisë për të mbrojtur përdoruesit nga rreziqet kibernetike, duke ofruar një platformë të sigurt për të gjithë qytetarët. Gjithashtu, përmes platformës së re që pritet të shtohet së shpejti, BQK-ja përmirëson ndjeshëm përvojën e përdorueseve në portalet e Edukimit Financiar dhe atij të Krahasimit të Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, gjë që do ndihmon konsumatorin të marrë vendime të mirëinformuara. Qasje e lehtësuar është paraparë edhe në portalet ekzistuese të Ankesave dhe të Regjistrit Kreditor.

Andaj, më këtë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të jetë sinonim i profesionalizimit, inovacionit teknologjik, promovimit të komunikimit, veçanërisht në hapjen e informacionit për të gjitha palët e interesuara.

Për më shumë informacion, ju lutëm vizitojeni web-faqen e re të BQK-së 🔗 https://bqk-kos.org/

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shënon 25-vjetorin e themelimit me një
Konferencë Ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull “Ndërtimi i urave përtej kufijve,
ndërtimi i ardhmërive: Integrimi në SEPA për gjithpërfshirje financiare – fuqizimi i rritjes dhe
reziliencës”.

Në këtë ngjarje ndërkombëtare e cila është duke ndodhur marrin pjesë udhëheqës të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të Grupit të Bankës Botërore (BB), zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe ndërkombëtar, guvernatorë të bankave qendrore të rajonit e të vendeve evropiane dhe drejtues të institucioneve të tjera financiare.

Pjesëmarrësve me një fjalë mirëseardhje i është drejtuar nikoqiri i kësaj Konference, z. Ahmet Ismaili – Guvernator i BQK-së.

Të pranishmëve me një fjalim hyrës i është drejtuar edhe SH.S. Dr. Vjosa Osmani Sadriu – Presidente e Republikës së Kosovës,

Po ashtu, këtë Konferencë Ndërkombëtare të organizuar me rastin e 25-vjetorit të BQK-së përmes një video-mesazhi e ka uruar znj. Kristalina Georgieva – Drejtoreshë Menaxhuese e FMN-së.

Derisa, fjalimin kryesor e ka mbajtur z. Robert Holzmann – Guvernator i Bankës Kombëtare të Austrisë.

Gjatë kësaj Konference janë paraparë të mbahen tri sesione shkencore, me pjesëmarrje të Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorit të BQK-së, Guvernatorëve të rajonit dhe vendeve të BE-së si dhe drejtuesve të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare:

  • Integrimi në SEPA, transformimi digjital dhe implikimet për shërbimet financiare;
  • Përmirësimi i stabilitetit financiar në peizazhin në ndryshim; dhe
  • Ndërmjetësimi financiar brenda sektorit bankar në rajon.

Gjithashtu, do prezantohet studimi “Pagesat dhe transaksionet pa para të gatshme: Si veprojnë qytetarët në Ballkanin Perëndimor?” Nga znj. Julia Wörz, nga Banka e Qendrore e Austrisë.

Tema e konferencës do të elaborohet edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të cilët kanë ndihmuar BQK-në lidhur me reformat përkatëse.

Punimet e kësaj Konference do të përmbyllen nga z. Bashkim Nurboja, Kryetar i Bordit të BQK-së.

Në këtë sesion është diskutuar në mënyrë të detajuar mbi Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përfshirë integrimin e saj, kornizën rregullative dhe ndikimin e saj në përfshirjen financiare dhe rritjen ekonomike.

Diskutimet kanë përfshirë rolin e SEPA-s në lehtësimin e pagesave ndërkufitare dhe përmirësimin e efikasitetit të transaksioneve, duke përforcuar stabilitetin dhe integrimin e sistemeve financiare të Eurozonës.

Për më tepër, panelistët kanë trajtuar përvojën e vendeve jashtë SEPA-s, duke vënë theksin në nismat që u përgjigjen inovacioneve në pagesa dhe marrëveshje duke ruajtur në të njëjtën kohë standardet rregullative të kujdesshme. Gjithashtu janë trajtuar sfidat dhe mundësitë e SEPA-s brenda kontekstit më të gjerë të transformimit digjital në shërbimet financiare.

Moderator:

Ulrich Bindseil, Drejtor i Përgjithshëm për Infrastrukturën e Tregut dhe Pagesat, Banka Qendrore Evropiane

Panelistë:

  • Victoria Cleland, Drejtoreshë Ekzekutive për Pagesa, Banka e Anglisë
  • Boshtjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë
  • Gediminas Šimkus, Kryesues i Bordit, Banka e Lituanisë
  • Nicola Marquier, Menaxher Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC)
  • Madis Müller, Guvernator, Banka Qendrore e Estonisë
Skip to content