Cmimi-per-ekonomist-2-1024x605
“Teknologjia financiare dhe sfidat në aspektin e sigurisë kibernetike“
“Mundësitë dhe sfidat me të cilat u përballen institucionet financiare në Kosovë në vitin 2021”
“Impakti i digjitalizimit në sistemin bankar”


Mund të përzgjidhet njëra nga temat
Në kuadër të fushës së edukimit financiar dhe me qëllim të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.
Punimet për këtë çmim duhet të jenë në fushën  e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë të jenë të fokusuara në njërën nga temat në vijim:
“Teknologjia financiare dhe sfidat në aspektin e sigurisë kibernetike“
“Mundësitë dhe sfidat me të cilat u përballen institucionet financiare në Kosovë në vitin 2021”
“Impakti i digjitalizimit në sistemin bankar”
Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara, siç përcaktohet në tekstin vijues;


Rregullat e pranimit:
1. Tema e dorëzuar duhet t’i plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).
2. Në konkurrim me punimin e dorëzuar  kandidati  duhet të jetë autori kryesor.
3. Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe ose gjuhën angleze.
4. Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe.  Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.
5. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim.
Komisioni përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare-ndërkombëtare (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza, dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.
6. Çmimi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, çmimi i dytë me 700 euro dhe çmimi i tretë me 500 euro.
7. Pa paragjykuar pikën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.
8. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.
9. Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë:


– Duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (PDF), në [email protected] të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën e mëposhtme: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, Rruga Garibaldi nr 33, Prishtinë, Republika e Kosovës.

– Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës.(Në rast se studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit të temës)
– Kopjen e letërnjoftimit.
10. Data e fundit për dorëzim do të jetë: 30 nëntor 2021.
16.12.2021-2-1024x541 (1)

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në vendin tonë, Çagri Sakar.

Guvernatori Mehmeti ka njoftuar Ambasadorin me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, masat e ndërmarra nga ana e BQK-së, që nga fillimi i pandemisë gjë që ka ndikuar që ky sektor të mbetet stabil dhe likuid, si dhe i gatshëm për të ndihmuar në çdo kohë qytetarët dhe ekonominë e vendit për të kaluar situatën me pandeminë në të cilën gjendet edhe vendi ynë.

Guvernatori falënderoi shtetin e Turqisë për ndihmën dhënë Kosovës dhe për bashkëpunimin, si  dhe projektet e realizuara deri më tani, derisa shprehu gatishmërinë dhe interesimin që bashkëpunimi të avancojë tutje.

Nga ana tjetër, Ambasadori Sakar vlerësoi lart të arriturat e sistemit financiar të Kosovës dhe shprehu përkushtimin për angazhim në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës.

16.12.2021-1024x629

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e këtij institucioni për përkrahjen e vazhdueshme, që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar, deri në muajin tetor 2021 kanë shënuar rritje vjetore prej 11.8%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 13.4%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.0%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.4%.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me asistencat teknike të realizuara deri më tani dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim me ekipin e Bankës Botërore për të finalizuar me sukses projektet e ardhshme.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore të kryesuar nga Elene Imnadze, Zëvendësdrejtoresha e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, e shoqëruar nga përfaqësues të FINSAC në Vjenë, falënderuan Guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe BQK-së.

24.12.2021-1-1024x683.jpg

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka prezantuar para mediave zhvillimet në sektorin financiar gjatë vitit 2021, ku ka thënë se me gjithë vështirësitë BQK-ja ka arritur edhe në këtë vit të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili jo vetëm se arriti të përballojë zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vend, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët dhe me këtë edhe të ekonomisë së vendit.

Ai ka thënë se bazuar në vlerësimet e BQK-së, Kosova do të shënojë rritje ekonomike prej rreth 9.9 përqind.

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri me tetor të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.33 miliard euro, e cila paraqet një rritje prej 151.3 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, viti 2021 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë, ku vlera e remitencave të pranuara deri në fund të muajit tetor është 956 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 20.0 përqind. Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në nëntor 2021 shënoi vlerën 4.2 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 42.5 përqind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 684.7 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 60 përqind. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, deficiti tregtar në llogarinë e mallrave deri në muajin nëntor 2021 regjistroi vlerën prej 3.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 39.6 përqind”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

24.12.2021-2-1024x683.jpg

Rritje kishte edhe eksporti i shërbimeve, i cili deri në shtator 2021 shënoi vlerën prej 1.59 miliardë euro, apo një rritje vjetore prej 117 përqind dhe kjo ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend.

Importi i shërbimeve deri më shtator 2021 regjistroi vlerën prej 642 milionë euro, ndërsa gjithsej importet e mallrave dhe shërbimeve deri në muajin nëntor janë në shumën prej rreth 5 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rreth 2.3 miliardë euro.

Investimet e huaja direkte deri në shtator arritën në 389 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 254 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2020. Gjatë kësaj periudhe, rritje të lartë shënuan IHD-të tek investimet në patundshmëri, në vlerë prej 265 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë u regjistruan 129 milionë euro, një rritje prej 106 përqind. Në anën tjetër, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Mesatarja e inflacionit deri në nëntor 2021 shënoi normën prej 3.1 përqind në krahasim me mesataren vjetore prej 0.2 përqind për vitin 2020, norma e inflacionit vetëm për muajin nëntor 2021 ishte 6.9 përqind, gjë që tregon se po ballafaqohemi me një trend në rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Rritja e normës së inflacionit në Kosovë kryesisht reflekton rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, të cilat në Kosovë transmetohen përmes rritjes së çmimeve të mallrave të importuara.

Nga ana tjetër sistemi financiar ka vazhduar të jetë i shëndoshë dhe i aftë të përballojë një ambient shumë të pafavorshëm ekonomik gjatë vitit 2020, por edhe të marrë një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë për ta përballuar krizën me pasoja sa më të vogla që ishte e mundur.

Pos masave për të ndihmuar ekonominë dhe bizneset me moratoriumin e kredive pa asnjë masë ndëshkuese për të gjithë huamarrësit që janë ndikuar negativisht nga pandemia, BQK- zgjati afatin e aplikimit deri në fund të muajit mars 2021, udhëzuesin për ristrukturimin e kredive.

“Deri në muajin nëntor 2021, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte rreth 1.6 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 21 përqind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar ishte 3.7 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 14.7 përqind. Mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.79 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 13 përqind. Falë besimit nga publiku kemi pasur rritje të depozitave, të cilat deri në nëntor 2021, arritën në shumën prej rreth 4.67 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.8 përqind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 69.6 përqind në totalin e depozitave, e të cilat deri në tetor 2021, shënuan rritje vjetore prej 18 përqind”, ka thënë tutje Guvernatori.

Ai ka bërë të ditur se norma mesatare e interesit në kredi në nëntor 2021 shënoi 5.6 përqind, e cila është më e ulët në krahasim me normën prej 6.1 përqind të regjistruar në nëntor 2020. Cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.3 përqind në nëntor 2021, derisa mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivel të lartë prej 147.8 përqind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar.

Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 17.5 përqind në fund të tetorit, që vazhdon të jetë dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 përqind.

Pozita e likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivel të lartë, ku raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në korrik ishte 38.4 përqind, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25.0 përqind.

Zhvillime pozitive kishte edhe në sektori i sigurimeve, ku asetet e këtij sektori deri në shtator të këtij vitit shënuan vlerën prej 235.7 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 10.0 përqind. Falë kërkesave të BQK-së është rritur ekuiteti i sektorit të sigurimeve, e cila deri në shtator ishte 61.1 milionë euro me një rritje vjetore prej 5.9 përqind. Gjatë periudhës së njëjtë kohore, fitimet arritën në 5.9 milionë euro, primet bruto të shkruara nga kompanitë e sigurimit shënuan vlerën prej 86.9 milionë euro, një rritje vjetore prej 20.2 përqind, përderisa dëmet e paguara bruto shënuan vlerën prej 45.6 milionë euro apo një rritje vjetore prej 30.0 përqind.

Si rezultat i gjendjes së rëndë financiare dhe mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, BQK revokoi licencën e siguruesit “Kosova e Re”.

Zhvillime pozitive kishte edhe në sektorin pensional, ku vlera e përgjithshme e aseteve në tetor arriti në 2.29 miliardë euro krahasuar me 2.07 miliardë sa ishin në tetor 2020, që përkon me një rritje vjetore prej 10.7 përqind.

Kthimi nga investimet ishte 133 milion euro, ndërsa kontributet e reja pensionale arritën në shumën prej rreth 157 milionë euro.

Asetet e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, deri në nëntor 2021, arritën vlerën prej 343.1 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 8.6 përqind, gjithsej kreditë aktive të këtij sektori në nëntor shënuan vlerën prej 238 milionë euro, apo rritje vjetore prej 16.1 përqind.

Norma mesatare e interesit në kreditë e reja të emetuara nga institucionet mikrofinanciare nëntor 2021 ishte 18.8 përqind, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 19.7 përqind. Edhe në këtë sektor vlerësohet cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej 2.9 përqind.

BQK-ja edhe gjatë vitit 2021 ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj profesionale në të gjitha fushat e veprimit të saj, ku përkundër situatës së krijuar dhe kushteve jo shumë të favorshme në tregjet ndërkombëtare, BQK ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë e saj financiare dhe performancën e mirë të institucionit, duke gjeneruar rezultat financiar pozitiv.

24.12.2021-3-1024x683.jpg

BQK-ja ka vazhduar me shpalljen e konkursit tanimë tradicional për çmimin “Ekonomistë të Rinj”, që ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues në fushën e ekonomisë në mesin e të rinjve.

Bazuar në vlerësimin e komisionit profesional për punimet e sjella, kam kënaqësinë që të shpallë fituesen e këtij çmimi, Erzana Uka me temën “Impakti i digjitalizimit në sistemin bankar”.

16dhj.jpg

16 dhjetor 2021 – Deutsche Bundesbank, së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian, përfundojnë programin e financuar nga BE-ja për t’i mbështetur bankat qendrore dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në vendet kandidate për anëtarësim në BE vendet kandidate potenciale nga Ballkani Perëndimor

Së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisionin Evropian, Deutsche Bundesbank mbajti sot ngjarjen përmbyllëse të një programi të financuar nga BE-ja në dobi të Bankës së Shqipërisë, Bankës Qendrore të Bosnjë dhe Hercegovinës, Agjencisë Bankare të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Agjencisë Bankare të Republikës Srpska, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankës Qendrore të Malit të Zi, Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Kombëtare të Serbisë. Qëllimi i programit ishte t’i forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve si përfituese fundore, veçanërisht duke përmirësuar mjetet e tyre analitike dhe të politikave dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare. Bashkimi Evropian (BE) ndau 2 milionë euro për programin nga Instrumenti i tij për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA II).

Gjatë takimit përfundimtar të Komitetit Drejtues të Programit dhe ngjarjes përmbyllëse të organizuar sot nga Deutsche Bundesbank, profesori Joachim Wuermeling, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, nënvizoi: “Ky program është shembull i mirë i një qasjeje vërtet bashkëpunuese nga SEBQ-ja. Duke vepruar kolektivisht dhe njëzëri, SEBQ-ja ka dëshmuar se është partnere e fortë në komunitetin e bankimit qendror dhe është e gatshme t’i mbështesë kolegët tanë nga Ballkani Perëndimor në përpjekjet e tyre për të arritur standardet më të larta për të mirën e ekonomive dhe popujve të tyre.” Z. Florian Hauser, udhëheqës i ekipit në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, nënvizoi: “Programi përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Ai mbështet përgatitjen e bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor për integrimin e tyre në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.”

Gjatë një periudhe prej 33 muajsh, Deutsche Bundesbank, 19 banka qendrore kombëtare dhe BQE-ja organizuan një program intensiv trajnimi rajonal mbi çështjet kryesore të bankimit qendror dhe mbikëqyrjes, me 20 ngjarje trajnimi për 360 ekspertë. Trajnimi u fokusua veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorit financiar dhe përfshirjes financiare, rikuperimit dhe zgjidhjes (ang. “recovery and resolution”), politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, përputhshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit dhe auditimit të brendshëm. U mbajtën edhe dy seminare të politikave për vendimmarrësit për zgjidhjen e kredive joperformuese dhe çështjet e qeverisjes. Krahas kësaj, programi zbatoi masa dypalëshe dhe punë praktike nga të cilat përfituan gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në BE dhe kandidate potenciale, të cilat u përcaktuan në takimet e Komitetit Drejtues të Programit. Përfaqësuesit e institucioneve përfituese theksuan arritjet e rëndësishme, për shembull në fushat e mbrojtjes së konsumatorit financiar, menaxhimit të rezervës valutore, marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemeve të pagesave, parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zgjidhjes së institucioneve financiare dhe statistikave.

Pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme që dolën nga pandemia, programi u zbatua me sukses në tërësi. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të Komisionit Evropian, si dhe qëndrimit mjaft akomodues të të gjithë anëtarëve dhe ekspertëve të përfshirë të programit. Gjatë pandemisë, digjitalizimi dhe mjetet e drejtuara nga teknologjia informative zëvendësuan takimet tradicionale ballë për ballë, por u desh të bëheshin disa sakrifica në ndërveprimin personal dhe ndërtimin e marrëdhënieve.

Programi u realizua nga Deutsche Bundesbank në partneritet me Nationale Bank van België/Banque Nationale de Belgique, Българска народна банка (Banka Kombëtare Bullgare), Česká národní banka, Banka e Greqisë, Banco de España, Banque de France, Hrvatska narodna banka, Banka Qendrore e Irlandës, Banca d’Italia, Lietuvos bankas, Banque centrale du Luxembourg, Magyar Nemzeti Bank, De Nederlandsche Bank, Oesterreichische Nationalbank, Narodowy Bank Polski, Banco de Portugal, Banca Naţională a României, Banka Slovenije dhe Národná banka Slovenska. Banka Qendrore Evropiane ka kontribuar në zbatimin e programit.

Forcimi i kapaciteteve të Bankave Qendrore të Ballkanit Perëndimor nga BE


Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar Kryeshefin Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Në këtë takim u diskutua lidhur me modalitetet përmes të cilave BQK do të mund të ndihmojë KEK-un lidhur me tejkalimin më të lehtë të situatës emergjente energjetike.
Si rrjedhojë, Guvernatori Mehmeti e njoftoi z. Krasniqi se BQK do të marrë vendim që të mos aplikojë norma negative në depozitat e KEK-ut në BQK, por këto kosto me bankat ndërkombëtare do t’i bartë vetë BQK-ja.
Nga ana tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Krasniqi, falënderoi Guvernatorin Mehmeti për gatishmërinë që të ndihmojë në përballimin e vështirësive me të cilat po ballafaqohen.
Gjithashtu, të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, në fushat me interes të përbashkët.

Gjatë ditës së sotme, në zyrat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është mbajtur takim ndërmjet Guvernatorit Mehmeti dhe Zëvendësguvernatorit Havolli me Zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Hysen Durmishi, përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) z. Besarb Blakaj, Kryetar i Këshillit Administrativ dhe Sami Mazreku Drejtor Ekzekutiv, ku  është diskutuar lidhur me inicimin e projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ligjërisht ose jo.

BQK-ja dhe BKS-ja përkrahin Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike. Të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë. Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers).

Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.

Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit. Zëvendësministri Durmishi u zotua se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.

Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë.

06.05.2022.jpg

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar pas përfundimit të konsultave të Artikullit IV me Kosovën për vitin 2021.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se vendimi i BQK-së për të hequr gradualisht masat mbështetëse të lidhura me pandeminë në vitin 2021 ishte i justifikuar.

Ndërkohë që sistemi financiar në përgjithësi, ka mbetur i qëndrueshëm dhe rritja e kredive joperformuese pritet të jetë e kufizuar, forcimi i monitorimit të rrezikut kreditor është thelbësor për të siguruar që provizionet në banka pasqyrojnë ndryshimin themelor në kualitetin e mjeteve dhe se nivelet e kapitalit janë të mjaftueshme për të absorbuar humbjet, si dhe për të vazhduar aktivitetin kredidhënës. Kapaciteti i autoritetit mbikëqyrës për të vlerësuar kornizën e humbjeve të pritura kreditore të institucioneve të rregulluara në kontekstin e zbatimit të SNRF-9 duhet të vazhdojë të përmirësohet.

Rifillimi i funksionimit të Bordit të BQK-së do të mundësojë zbatimin e rekomandimeve të dala nga raportet e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar dhe Vlerësimit të Masave Mbrojtëse, duke siguruar që funksioni i stabilitetit financiar të raportojë drejtpërdrejt te Bordi Ekzekutiv.

Raportin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar mund ta gjeni në vijim:

https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2022/01/11/Republic-of-Kosovo-2021-Article-IV-Consultation-Press-Release-and-Staff-Report-511873

IMG-e405413597e66a5156ec4afcd4aca201-V-1024x695.jpg

Zëvendësguvernatori i BQK-së Sokol Havolli, mori pjesë në takimet e Konstituencës në Budapest të Hungarisë për të negociuar lidhur me marrëveshjen e konstituencës së FMN-së për 10 vitet e ardhshme në të cilën bën pjesë Kosova.

Rezultatet e negociatave gjetën mbështetje unanime nga të gjithë anëtarët e konstituencës. Anëtarët u pajtuan që përbërja e kësaj konstituence edhe për 10 vitet e ardhshme të vazhdojë të jetë e njëjtë me anëtarët e deritanishëm si, Austria, Bellorusia, Republika Çeke, Hungaria, Kosova, Sllovakia, Sllovenia dhe Turqia.

Në kuadër të këtij takimi, vendet anëtare u pajtuan edhe për ndarjen e pozitave të përfaqësimit të këtyre vendeve në zyren e Drejtorit Ekzekutiv të konstituencës, me ç’rast Kosovës iu alokua pozita e këshilltarit për 4 vite.

Marrëveshja finale pritet të nënshkruhet nga Guvernatori Fehmi Mehmeti gjatë takimeve pranverore të FMN-së në Washington D.C.

06.05.2022.jpg

Gjykata Supreme refuzon si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paditësit – propozuesit, Shoqëria “Fitorja”, Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-Menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë së Sigurimeve, ’’Kosova e Re”, Sh.A., të ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021.

Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021 është aprovuar ankesa e BQK-së dhe është refuzuar kërkesa e propozueses, Shoqëria “Fitorja”,Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-Menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë së Sigurimeve, ’’Kosova e Re”, Sh.A., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, me seli në Prishtinë me nr. 70-24/2021, të datës 24.09.2021.

Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate aktvendimi i goditur i Gjykatës së Apelit është i qartë, i kuptueshëm dhe i arsyetuar mjaftueshëm për të gjitha faktet vendimore që kanë rezultuar me marrjen e tij, duke u bazuar edhe në dispozitat ligjore të Ligjit për BQK, të cilat rregullojnë ndalimin e shqiptimit dhe ekzekutimit të ndonjë mase, para se të nxjerrët vendimi përfundimtar gjyqësor në çdo veprim ligjor të parashtruar para gjykatave të Republikës së Kosovës.

Skip to content