24.12.2021-1-1024x683.jpg

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka prezantuar para mediave zhvillimet në sektorin financiar gjatë vitit 2021, ku ka thënë se me gjithë vështirësitë BQK-ja ka arritur edhe në këtë vit të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili jo vetëm se arriti të përballojë zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vend, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët dhe me këtë edhe të ekonomisë së vendit.

Ai ka thënë se bazuar në vlerësimet e BQK-së, Kosova do të shënojë rritje ekonomike prej rreth 9.9 përqind.

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri me tetor të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.33 miliard euro, e cila paraqet një rritje prej 151.3 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, viti 2021 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë, ku vlera e remitencave të pranuara deri në fund të muajit tetor është 956 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 20.0 përqind. Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në nëntor 2021 shënoi vlerën 4.2 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 42.5 përqind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 684.7 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 60 përqind. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, deficiti tregtar në llogarinë e mallrave deri në muajin nëntor 2021 regjistroi vlerën prej 3.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 39.6 përqind”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

24.12.2021-2-1024x683.jpg

Rritje kishte edhe eksporti i shërbimeve, i cili deri në shtator 2021 shënoi vlerën prej 1.59 miliardë euro, apo një rritje vjetore prej 117 përqind dhe kjo ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend.

Importi i shërbimeve deri më shtator 2021 regjistroi vlerën prej 642 milionë euro, ndërsa gjithsej importet e mallrave dhe shërbimeve deri në muajin nëntor janë në shumën prej rreth 5 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rreth 2.3 miliardë euro.

Investimet e huaja direkte deri në shtator arritën në 389 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 254 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2020. Gjatë kësaj periudhe, rritje të lartë shënuan IHD-të tek investimet në patundshmëri, në vlerë prej 265 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë u regjistruan 129 milionë euro, një rritje prej 106 përqind. Në anën tjetër, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Mesatarja e inflacionit deri në nëntor 2021 shënoi normën prej 3.1 përqind në krahasim me mesataren vjetore prej 0.2 përqind për vitin 2020, norma e inflacionit vetëm për muajin nëntor 2021 ishte 6.9 përqind, gjë që tregon se po ballafaqohemi me një trend në rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Rritja e normës së inflacionit në Kosovë kryesisht reflekton rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, të cilat në Kosovë transmetohen përmes rritjes së çmimeve të mallrave të importuara.

Nga ana tjetër sistemi financiar ka vazhduar të jetë i shëndoshë dhe i aftë të përballojë një ambient shumë të pafavorshëm ekonomik gjatë vitit 2020, por edhe të marrë një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë për ta përballuar krizën me pasoja sa më të vogla që ishte e mundur.

Pos masave për të ndihmuar ekonominë dhe bizneset me moratoriumin e kredive pa asnjë masë ndëshkuese për të gjithë huamarrësit që janë ndikuar negativisht nga pandemia, BQK- zgjati afatin e aplikimit deri në fund të muajit mars 2021, udhëzuesin për ristrukturimin e kredive.

“Deri në muajin nëntor 2021, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte rreth 1.6 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 21 përqind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar ishte 3.7 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 14.7 përqind. Mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.79 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 13 përqind. Falë besimit nga publiku kemi pasur rritje të depozitave, të cilat deri në nëntor 2021, arritën në shumën prej rreth 4.67 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.8 përqind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 69.6 përqind në totalin e depozitave, e të cilat deri në tetor 2021, shënuan rritje vjetore prej 18 përqind”, ka thënë tutje Guvernatori.

Ai ka bërë të ditur se norma mesatare e interesit në kredi në nëntor 2021 shënoi 5.6 përqind, e cila është më e ulët në krahasim me normën prej 6.1 përqind të regjistruar në nëntor 2020. Cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.3 përqind në nëntor 2021, derisa mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivel të lartë prej 147.8 përqind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar.

Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 17.5 përqind në fund të tetorit, që vazhdon të jetë dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 përqind.

Pozita e likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivel të lartë, ku raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në korrik ishte 38.4 përqind, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25.0 përqind.

Zhvillime pozitive kishte edhe në sektori i sigurimeve, ku asetet e këtij sektori deri në shtator të këtij vitit shënuan vlerën prej 235.7 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 10.0 përqind. Falë kërkesave të BQK-së është rritur ekuiteti i sektorit të sigurimeve, e cila deri në shtator ishte 61.1 milionë euro me një rritje vjetore prej 5.9 përqind. Gjatë periudhës së njëjtë kohore, fitimet arritën në 5.9 milionë euro, primet bruto të shkruara nga kompanitë e sigurimit shënuan vlerën prej 86.9 milionë euro, një rritje vjetore prej 20.2 përqind, përderisa dëmet e paguara bruto shënuan vlerën prej 45.6 milionë euro apo një rritje vjetore prej 30.0 përqind.

Si rezultat i gjendjes së rëndë financiare dhe mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, BQK revokoi licencën e siguruesit “Kosova e Re”.

Zhvillime pozitive kishte edhe në sektorin pensional, ku vlera e përgjithshme e aseteve në tetor arriti në 2.29 miliardë euro krahasuar me 2.07 miliardë sa ishin në tetor 2020, që përkon me një rritje vjetore prej 10.7 përqind.

Kthimi nga investimet ishte 133 milion euro, ndërsa kontributet e reja pensionale arritën në shumën prej rreth 157 milionë euro.

Asetet e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, deri në nëntor 2021, arritën vlerën prej 343.1 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 8.6 përqind, gjithsej kreditë aktive të këtij sektori në nëntor shënuan vlerën prej 238 milionë euro, apo rritje vjetore prej 16.1 përqind.

Norma mesatare e interesit në kreditë e reja të emetuara nga institucionet mikrofinanciare nëntor 2021 ishte 18.8 përqind, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 19.7 përqind. Edhe në këtë sektor vlerësohet cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej 2.9 përqind.

BQK-ja edhe gjatë vitit 2021 ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj profesionale në të gjitha fushat e veprimit të saj, ku përkundër situatës së krijuar dhe kushteve jo shumë të favorshme në tregjet ndërkombëtare, BQK ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë e saj financiare dhe performancën e mirë të institucionit, duke gjeneruar rezultat financiar pozitiv.

24.12.2021-3-1024x683.jpg

BQK-ja ka vazhduar me shpalljen e konkursit tanimë tradicional për çmimin “Ekonomistë të Rinj”, që ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues në fushën e ekonomisë në mesin e të rinjve.

Bazuar në vlerësimin e komisionit profesional për punimet e sjella, kam kënaqësinë që të shpallë fituesen e këtij çmimi, Erzana Uka me temën “Impakti i digjitalizimit në sistemin bankar”.

Përfundoi me sukses programi i financuar nga BE për të mbështetur bankat qendrore dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në Ballkanin Guvernatori Mehmeti uron Vitin e Ri 2021