Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në konferencën ndërkombëtare “Central Banking Amid Persistent Global Shifts: Fostering Stability, Innovation, and Resilience”, të organizuar nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Konferenca mblodhi guvernatorë të bankave qendrore, politikëbërës, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademisë, për të diskutuar përgjigjet e politikave ndaj pasigurisë së shtuar globale dhe transformimeve strukturore që ndikojnë në stabilitetin monetar dhe financiar.

Guvernatori Ismaili kontribuoi në panelin “Anchoring Stability in Times of High Uncertainty: Lessons for Macroeconomic Policies”, të moderuar nga z. Sebastian Sosa (FMN), së bashku me z. Trajko Slaveski, Guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut; znj. Gordana Dimitrieska-Kochoska, Ministre e Financave e Republikës së Maqedonisë së Veriut; z. Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare Kroate; dhe znj. Era Dabla-Norris, Zëvendësdrejtoreshë në Departamentin e Çështjeve Fiskale të FMN-së.

Guvernatori Ismaili prezantoi qasjen e Kosovës për ruajtjen e stabilitetit në një ekonomi plotësisht të euroizuar, duke theksuar se ajo udhëhiqet nga një kombinim politikash me fokus në stabilitet, ku politika fiskale, masat makroprudenciale dhe rregullimi e mbikëqyrja e fortë veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe me orientim afatgjatë.

Ai nënvizoi se një sistem financiar i mirë-rregulluar dhe i mbikëqyrur në mënyrë efektive, së bashku me një kornizë makroprudenciale proaktive, përbën linjën e parë të mbrojtjes makroekonomike, duke garantuar reziliencën e sektorit financiar ndaj goditjeve të jashtme.

Në lidhje me bashkërendimin midis politikave fiskale dhe monetare, Guvernatori theksoi rëndësinë e masave fiskale të targetuara dhe të përkohshme, të mbështetura nga komunikim i qartë dhe i qëndrueshëm, për të ruajtur koherencën e politikave dhe për të shmangur efektet pro-ciklike.

Sektori bankar në Kosovë mbetet stabil, i mirë-kapitalizuar dhe me likuiditet të lartë, me tregues mbi kërkesat rregullatore, ndërkohë që mbështetet edhe nga linja e likuiditetit nga Banka Qendrore Evropiane (EUREP), si një mekanizëm shtesë mbështetës.

Guvernatori Ismaili theksoi gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e kornizave të gatishmërisë ndaj krizave, përfshirë avancimin e sistemit të sigurimit të depozitave dhe vlerësimin e mëtejshëm të mekanizmave për sigurimin e likuiditetit emergjent.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për organizatorët dhe rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për forcimin e mëtejmë të reziliencës së sistemit financiar, avancimin e kornizave mbikëqyrëse dhe të menaxhimit të krizave, si dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm në përputhje me objektivat e integrimit evropian të Kosovës.

Zëvendësguvernatori Fusha pjesë e panelit për rolin e parasë digjitale në luftimin e evazionit tatimor në kuadër të Javës Globale të Parasë Guvernatori Ismaili takoi delegacionin e Grupit të Bankës Botërore: Diskutohet progresi dhe hapat e ardhshëm në reformat e sektorit financiar