Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatorët znj. Shileku Shala dhe z. Fusha, priti në takim delegacionin e nivelit të lartë të Grupit të Bankës Botërore. Takimi u përqendrua në shqyrtimin e progresit dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm në zbatimin e reformave kyçe në sektorin financiar të Kosovës.

Delegacioni ishte i përbërë nga znj. Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor; z. Marcelo Castellanos, Menaxher i Lartë i IFC-së për Evropën Juglindore; znj. Carole Megevand, Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën; z. Visar Perani, Drejtor i IFC-së për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut; dhe z. Besart Myderrizi, Specialist i Lartë për Sektorin Privat.

Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet e fundit në sektorin financiar, veçanërisht në mbikëqyrjen bankare dhe të sigurimeve, duke theksuar qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vazhdueshëm të sektorit. Ai rikonfirmoi se forcimi i stabilitetit financiar, modernizimi i sistemeve të pagesave dhe avancimi i gjithëpërfshirjes financiare mbeten prioritete kryesore të BQK-së, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Grupin e Bankës Botërore për avancimin e reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

Diskutimet u përqendruan në zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar, përfshirë progresin drejt krijimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta bazuar në TIPS Clone të ofruar nga Banca d’Italia. Ky sistem pritet të rrisë ndjeshëm efikasitetin, shpejtësinë dhe ndërveprueshmërinë e pagesave, ndërsa tenderi për shërbimet shtesë (overlay services) planifikohet të hapet në muajt në vijim.

Takimi trajtoi gjithashtu progresin e Kosovës drejt integrimit në SEPA. Guvernatori Ismaili informoi delegacionin për ridorëzimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, si dhe për përpjekjet në vazhdim për ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave (AML), në përputhje me komentet e DG FISMA. Hapa thelbësorë për përmbushjen e kritereve teknike dhe rregullatore për pjesëmarrje në SEPA.

U theksua gjithashtu progresi në kuadër të Projektit për Shërbimet Digjitale Financiare, përfshirë krijimin e strukturave koordinuese, avancimin e Open Banking përmes një grupi të posaçëm pune, përmirësimin e Regjistrit të Kredive, si dhe avancimin e proceseve digjitale të identifikimit të klientëve, përfshirë e-KYC. Për më tepër, janë intensifikuar aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve me ekspertë ndërkombëtarë.

Për më tutje, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmave për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Fondin e Sigurimit të Depozitave dhe Fondin e Përmbylljes, si dhe zhvillimin e një kornize gjithëpërfshirëse për Asistencën Emergjente të Likuiditetit.

Znj. Yu dhe z. Castellanos rikonfirmuan angazhimin e fortë të Grupit të Bankës Botërore për të mbështetur agjendën e reformave të BQK-së. Ata theksuan gatishmërinë për të vazhduar me asistencë teknike, mbështetje për përafrimin legjislativ dhe kontribuim në ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

BQK shpreh mirënjohjen për partneritetin e vazhdueshëm me Grupin e Bankës Botërore dhe mbetet e përkushtuar për avancimin e reformave që forcojnë stabilitetin financiar, modernizojnë sektorin financiar dhe rrisin gjithëpërfshirjen financiare në Kosovë.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në konferencë të nivelit të lartë mbi bankën qendrore dhe reziliencën BQK mirëpret ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës