Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) u përfaqësua nga Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha, në panelin diskutues të organizuar nga Kolegji AAB, në kuadër të aktiviteteve të Javës Globale të Parasë, me temën “Roli i parasë digjitale në luftimin e evazionit tatimor”.

Paneli mblodhi përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të sektorit financiar, duke ofruar një platformë për diskutim mbi zhvillimet e fundit në digjitalizimin e pagesave dhe ndikimin e tyre në rritjen e transparencës dhe formalizimin e ekonomisë. I organizuar në kuadër të Javës Globale të Parasë, ky aktivitet u ndoq nga një audiencë e angazhuar studentësh, duke dëshmuar interes të lartë për temën. Në panel morën pjesë edhe përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe sektori financiar, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi zhvillimet, sfidat dhe mundësitë në këtë fushë.

Gjatë diskutimit, z. Fusha prezantoi zhvillimet kryesore në sistemin financiar në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në rolin transformues të pagesave digjitale në rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe transparencës në ekonomi. Ai theksoi se avancimi i instrumenteve digjitale të pagesave kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve, duke forcuar integritetin e sistemit financiar dhe duke mbështetur përpjekjet për luftimin e ekonomisë informale dhe evazionit tatimor.

Në këtë kontekst, z. Fusha nënvizoi rëndësinë strategjike të projekteve që po zhvillon BQK, përfshirë integrimin në SEPA dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta me Bankën e Italisë, platformën TIPS Clone. Ai theksoi se këto iniciativa do të mundësojnë pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët, duke rritur përdorimin e pagesave digjitale dhe duke krijuar një mjedis më transparent financiar, ku lehtësohet qarkullimi financiar dhe aktivitetet ekonomike janë më lehtë të monitorueshme.

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi gjithashtu se zgjerimi i qasjes në infrastrukturat e pagesave, përfshirë ofruesit jo-bankarë të shërbimeve të pagesave, do të rrisë konkurrencën dhe inovacionin në treg, duke kontribuar në përfshirjen financiare dhe reduktimin e përdorimit të parasë së gatshme.

BQK mbetet e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e një ekosistemi modern të pagesave, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke kontribuar në një ekonomi më transparente, më efikase dhe më të formalizuar.

BQK përshëndet emërimin e Guvernatorit Boris Vujčić si Zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane Guvernatori Ismaili merr pjesë në konferencë të nivelit të lartë mbi bankën qendrore dhe reziliencën