Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatoren znj. Nesrin Shileku-Shala, priti në takim Ambasadorin jo-rezident të Irlandës për Republikën e Kosovës, Sh. T. z. Ragnar Almqvist.

Gjatë diskutimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi Ambasadorin Almqvist për zhvillimet kryesore dhe reformat në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, duke theksuar stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar. U veçuan nismat ligjore në sektorin financiar dhe aktivitetet që lidhen me gjithëpërfshirjen financiare dhe qasjen në financa dhe edukimi financiar.

Në hyrje të takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorit irlandez me rezidencë në Hungari, që mbulon Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi, mbi organizimin, funksionimin dhe fushëveprimin e BQK-së si institucion i pavarur kushtetues, kapacitetet institucionale, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me institucionet financiare ndërkombëtare, bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore e mbikëqyrëse të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Më pas, ai e përditësoi z. Almqvist me arritjet kryesore të Kosovës në vitet e fundit si dhe avancimin në integrimin financiar përmes SEPA dhe projektit TIPS Clone, duke e afruar vendin më pranë infrastrukturës financiare evropiane.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për institucionet e Republikës së Irlandës, të cilat vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e institucionit për forcimin e integritetit të sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Në përfundim, palët rikonfirmuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin në mbështetje të avancimit të kornizës ligjore të BQK-së në pajtim me standardet e BE-së, si dhe të procesit të integrimit të Kosovës në mekanizmat relevantë evropianë.

BQK merr pjesë për herë të parë në Takimin Vjetor të FinCoNet Zëvendësguvernatori Fusha mbajti një ligjëratë në EU Winter School 2025 mbi të ardhmen e pagesave dhe inovacionin financiar