Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha, mbajti një ligjëratë në kuadër të EU Winter School 2025 me temën “Dizajnimi i së Ardhmes së Pagesave: Si mund të nxisë rregullimi inovacionin”.

EU Winter School me titull “FinTech dhe Ekonomia Digjitale – Blockchain, Inovacioni dhe Gjeopolitika e Re e Financave Digjitale”, organizuar nga YCS Team dhe EYCA Kosovo, me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, mblodhi studentë dhe profesionistë të rinj për të diskutuar zhvillimet kyçe në fushën e FinTech-ut, transformimit digjital, blockchain-it, sigurisë kibernetike, kornizës rregullative dhe inovacionit në shërbimet financiare.

Në prezantimin e tij, Zëvendësguvernatori Fusha theksoi evolucionin global të pagesave digjitale, shembujt në rritje të sistemeve të pagesave të shpejta dhe rolin thelbësor të rregullimit të duhur të bazuar në parime, për nxitjen e inovacionit duke mbrojtur njëkohësisht stabilitetin financiar. Ai po ashtu vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të modernizuar ekosistemin e saj të pagesave, duke përfshirë:

· Harmonizimin me standardet e BE-së dhe progresin drejt integrimit në SEPA;

· Zbatimin e Bankingut të Hapur dhe standardit kombëtar të Kodit QR; dhe

· Bashkëpunimin rajonal për adoptimin e pagesave të shpejta përmes iniciativës për sistemin e ri TIPS Clone, me mbështetjen e Bankës së Italisë dhe Bankës Botërore.

“Këto reforma janë thelbësore për krijimin e një sistemi financiar konkurrues, transparent dhe gjithëpërfshirës. Investimi në infrastrukturë moderne të pagesave dhe harmonizimi rregullator jo vetëm që rrit efikasitetin, por edhe forcon integrimin e Kosovës në tregun financiar evropian”, u shpreh Zëvendësguvernatori Fusha.

BQK e sheh forcimin e transparencës dhe avancimin e edukimit financiar si shtylla thelbësore të zhvillimit të tregut, ndaj mbështet dhe kontribuon në ngjarje si kjo, të cilat rrisin ndërgjegjësimin, përfshirjen dhe kapacitetet e gjeneratës së re në fushën e financave dhe transformimit digjital të tyre në rritje.

BQK mbetet e përkushtuar në mbështetjen e inovacionit financiar, përmirësimin e qasjes në treg dhe zgjerimin e shërbimeve financiare digjitale për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi.

Guvernatori Ismaili takoi Ambasadorin e Irlandës, Sh. T. z. Ragnar Almqvist Banka Qendrore e Republikës së Kosovës zhvillon vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë