Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë për herë të parë në Takimin Vjetor të Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve (FinCoNet), pas pranimit si Anëtare e Asociuar në prill 2025.

Delegacioni i BQK-së u përfaqësua nga Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme, znj. Nesrin Shileku Shala, dhe Drejtoresha e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, znj. Suzan Dervari.

Në këtë ngjarje ndërkombëtare, FinCoNet adresoi një varg temash kyçe të rëndësishme për mbrojtjen e konsumatorit financiar në nivel global fuqizimin e mbikëqyrjes së sjelljes së tregut dhe zbatimit, me qëllim parandalimin e dëmeve ndaj konsumatorëve dhe nxitjen e sjelljes së përgjegjshme të institucioneve financiare; zbatimin e Parimeve të G20/OECD për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit dhe zhvillimin e kapaciteteve funksionale për mbrojtje më efektive; digjitalizimin dhe sfidat/risqet që sjell Inteligjenca Artificiale; parandalimin e mashtrimeve dhe skemave të rrezikshme financiare; si dhe rolin e angazhimit të konsumatorëve dhe edukimit financiar për rritjen e transparencës, besimit publik dhe efikasitetit të mbikëqyrjes.

BQK vlerëson se pjesëmarrja në këtë takim vjetor të FinCoNet dhe shkëmbimi i përvojave me autoritete mbikëqyrëse do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të funksionit të mbrojtjes së konsumatorit në Kosovë, duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e praktikave mbikëqyrëse dhe avancimin e qasjeve moderne të sjelljes së tregut.

Këto përpjekje janë plotësisht të harmonizuara me Planin Strategjik 2024-2028 të BQK-së, i cili e vendos mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar dhe përfshirjen financiare në qendër të objektivave të tij strategjike, duke paraparë zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse, avancimin e trajtimit të ankesave, rritjen e transparencës dhe lehtësimin e qasjes në shërbime financiare për të gjithë qytetarët pa dallim.

BQK mban punëtorinë e radhës me sektorin financiar në kuadër të nismës për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code” Guvernatori Ismaili takoi Ambasadorin e Irlandës, Sh. T. z. Ragnar Almqvist