Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj, i shoqëruar nga ekipi i BQK-së, priti një mision hyrës nga ekipi i Asistencës Teknike (AT) i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga z. Yunhui Zhao nga Instituti për Zhvillim të Kapaciteteve (ICD) i FMN-së.

Ky mision përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të BQK-së për modelim makroekonomik, parashikim dhe analizë të skenarëve, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Projekti i Asistencës Teknike vjen si rezultat i diskutimeve të mbajtura më herët gjatë këtij viti në Takimet Pranverore të FMN-së në Washington, D.C., ndërmjet Guvernatorit të BQK-së, z. Ahmet Ismaili dhe menaxhmentit të lartë të Institutit për Zhvillim të Kapaciteteve, si dhe në vijim të kërkesës zyrtare të BQK-së për këtë mbështetje.

Zëvendësguvernatori Cakaj informoi ekipin e FMN-së për zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe për reformat e ndërmarra nga BQK për forcimin e stabilitetit financiar dhe efektivitetit të politikave. Ai paraqiti pritjet e BQK-së nga ky angazhim i Asistencës Teknike, duke theksuar rëndësinë e tij për forcimin e kapaciteteve analitike dhe vendimmarrëse të institucionit. Ai gjithashtu theksoi se asistenca do të përshtatet sipas nevojave specifike të BQK-së, duke ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve të brendshme të qëndrueshme dhe avancimin e mëtejshëm të cilësisë së kornizës së politikës makroekonomike në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Z. Zhao prezantoi objektivat përfundimtare të projektit shumëvjeçar të asistencës teknike. Objektivi kryesor është ndërtimi i një infrastrukture të qëndrueshme analitike që forcon kapacitetin e BQK-së për parashikime makroekonomike dhe analiza të politikave. Kapacitetet e zgjeruara do të aplikohen më pas për zhvillimin e mandatit analitik bazë të BQK-së, përfshirë zhvillimin e skenarëve për diskutime të politikave dhe strestestin makro-financiar.

Në fund, BQK dhe FMN riafirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe shprehën objektivin e përbashkët për të siguruar zbatimin e suksesshëm të kësaj nisme të asistencës teknike.

BQK vlerëson mbështetjen e FMN-së dhe njeh vlerën e konsiderueshme të të gjitha projekteve të asistencave teknike në forcimin e kapaciteteve analitike dhe të politikave të institucionit.

BQK pret Misionin e Asistencës Teknike të FMN-së për avancimin e kuadrit mbikëqyrës dhe makroprudencial Publikimi i statistikave për BQK-në (Pasqyra, Bilanci i Gjendjes dhe Asetet Rezervë) për muajin gusht 2025