Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në Forumin e 2-të për Investime të Qëndrueshme, ku mbajti fjalim hyrës  mbi rëndësinë e adresimit të rreziqeve klimatike dhe mundësitë e investimeve të qëndrueshme për një sistem stabil financiar. Ky forum është organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian, mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, me prezencën e Kryeministrit në Detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori Orav.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili duke ju drejtuar të pranishmeve theksoi se megjithëse ekzistojnë diskutime për nivelin e përfshirjes së bankave qendrore në çështjet klimatike, sot dominon qëndrimi se kjo temë nuk është vetëm çështje ndërgjegjësimi mjedisor. Ndryshimet klimatike janë bërë burim i rreziqeve sistemike që kërcënojnë stabilitetin financiar, funksionimin e tregjeve dhe zhvillimin afatgjatë ekonomik dhe mirëqenien sociale.

Ekspozimi ndaj rreziqeve fizike dhe atyre të tranzicionit ndikon drejtpërdrejt në performancën dhe cilësinë e aseteve të institucioneve financiare, të bizneseve dhe të ekonomive familjare. Këto rreziqe janë realitete konkrete, që ndikojnë jetën e qytetarëve dhe aftësinë paguese të akterëve ekonomikë, prandaj edhe kërkohet vëmendje dhe kujdes i shtuar.

Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili nënvizoi se bankat dhe institucionet tjera financiare do të përballen gjithnjë e më shumë me nevojën për të menaxhuar këto rreziqe dhe për të mbështetur tranzicionin e gjelbër, duke e transformuar qëndrueshmërinë në një vlerë të re të tregut financiar.

Megjithatë financimi i tranzicionit dhe ekonomisë së gjelbër sjell edhe mundësi, të cilat BQK-ja i konsideron në përputhje me mandatin dhe planin e vet strategjik, për shkak se në Kosovë, huadhënia bankare mbetet burimi kryesor i financimit të sektorit privat, dhe aktualisht mbi 85% e depozitave janë kredituar në ekonomi, në mungese të tregjeve të kapitalit. Prandaj, përmes financimit të qëndrueshëm në sektorë jo-tradicional të ekonomisë sonë kontribuohet në investime të qëndrueshme dhe reduktim të rrezikut të koncetrimit, duke zvogëluar rreziqet mjedisore.

Në këtë drejtim, BQK ka ndërmarrë një sërë iniciativash konkrete për të avancuar kornizën rregullatore dhe për të promovuar financimin e qëndrueshëm, që nga anëtarësimi në rrjete ndërkombëtare, deri tek hartimi i udhërrëfyesve dhe udhëzuesve që ndihmon në menaxhimin e rreziqeve dhe mbështesin financimin e projekteve të mëdha dhe intensive në kuptim të kapitalit, duke përfshirë projektet në energjinë e pastër.

Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi se angazhimi i BQK-së nuk kufizohet vetëm në politikëbërje, por përfshin ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe përkrahjen e sektorit financiar përmes edukimit, pjesëmarrjes në forume, dhe rrjetëzimit ndërkombëtar. Ai potencoi se ngjarje si ky Forum janë pjesë e kësaj fryme të angazhimit dhe bashkëpunimit.

Në përmbyllje Guvernatori Ismaili theksoi se menaxhimi i rrezikut klimatik është çështje e mbrojtjes së vlerës, ruajtjes së stabilitetit dhe formësimit të së ardhmes së financave në një botë që po dekarbonizohet. Prandaj, angazhimi i BQK-së do të jetë në forcim të rolit mbikëqyrës, të mbështesim ndërtimin e kapaciteteve në sektorin financiar dhe të ndihmojmë në krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme financiare që mbështet tranzicionin e gjelbër. Përmes veprimit të hershëm, koordinimit institucional dhe përkushtimit të përbashkët do të mund të ndërtojmë një ekonomi që është konkurruese, e qëndrueshme dhe e drejtë për gjeneratat e ardhshme, ishte konkulidim i fjalës së tij.

BQK pjesëmarrëse në “Kosova Finance Forum 2025”: Diskutohen tema mbi stabilitetin financiar, gjithëpërfshirjen, inovacionin teknologjik dhe bashkëpunimin rajonal Guvernatori Ismaili zhvillon takim me ekspertët e lartë të Misionit të FMN-së: Diskutohet mbi progresin e reformës së mbikëqyrjes bankare