Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në “Kosova Finance Forum 2025” si partner institucional duke organizuar panelin e nivelit të lartë rajonal në temën e stabilitetit financiar si dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe u përfaqësua në nivele të ndryshme në panele e grupe punues të organizuara në këtë forum në tema të fushëveprimit të BQK-së. Forumi kishte një agjendë gjithëpërfshirëse me panele dhe punëtori që trajtuan tema kyçe si stabiliteti financiar, digjitalizimi, sigurimet, siguria kibernetike dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në sektorin financiar, me ç’rast u zhvilluan edhe disa panele ku morën pjesë aktive drejtues dhe përfaqësues të BQK-së.

Në fjalën hyrëse drejtuar të pranishmëve, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, përshëndeti forumin duke e vlerësuar si një nismë dhe platformë të re të rëndësishme për dialog të hapur dhe konstruktiv mbi të ardhmen financiare.

Stabiliteti financiar, gjithëpërfshirja financiare, inovacioni teknologjik dhe bashkëpunimi rajonal janë shtylla të rëndësishme për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme ekonomike, ka theksuar Guvernatori Ismaili, ndërsa foli për rëndësinë e ndërmarrjes së reformave të thella strukturore për të përballuar sfidat aktuale. Ai shtoi se ekonomitë e rajonit kanë treguar qëndrueshmëri, me norma pozitive të rritjes dhe ulje graduale të inflacionit.

“Kosova ka dëshmuar përkushtim për ruajtjen e stabilitetit financiar, me një sistem bankar të qëndrueshëm, likuid, dhe i mbikëqyrur me kujdes nga BQK, ndërsa reformat që po avancojnë drejt digjitalizimit, forcimit të mbrojtjes së konsumatorit dhe përafrimit me standardet e BE-së. Prandaj, konsiderojmë se është e vështirë që një vend i vetëm të mund të mund të përballojë sfidat globale pa bashkëpunimin e duhur”, potencoi Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili tutje u shpreh se stabiliteti financiar i mbetet objektiv themelor për të gjitha bankat qendrore të rajoni, veçanërisht në një mjedis të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike, presione inflacionare si dhe shtrëngim monetar në tregjet globale, në një kohë ku rreziqet jo tradicionale janë në rritje nga ato klimatike e deri tek siguria kibernetike. Ky është një reflektim i qartë i kompleksitetit dhe ndërvarësisë së sfidave me të cilat përballet sektori financiar sot, krahas nevojës për mbrojtjen e konsumatorit dhe të dhënave personale.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Ismaili u ndal edhe në rëndësinë e procesit të integrimit financiar evropian, duke e cilësuar atë si një shtyllë strategjike për stabilitet, zhvillim dhe transformim institucional.

BQK organizoi panelin e nivelit të lartë rajonal me temën “Stabiliteti financiar, sfidat për bankat qendrore dhe bashkëpunimi rajonal”, i cili është moderuar nga z. Selim Thaçi, përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, ku pjesëmarrës si penalistë përveç Zëvendësguvernatorit të BQK-së, z. Dardan Fusha ishin edhe zëvendësguvernatorët dhe drejtues të lartë të bankave qendrore nga rajoni: znj. Natasha Ahmetaj nga Banka e Shqipërisë, znj. z. Nikola Fabris nga Banka e Malit të Zi dhe znj. Milica Arnaudova Stojanovska nga Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut. Diskutimi është fokusuar në përforcimin e qëndrueshmërisë makroekonomike, përballimin e sfidave të përbashkëta dhe avancimin e koordinimit ndërinstitucional në rajon. U vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm midis bankave qendrore homologe të rajonit.

BQK-së në këtë forum mori pjesë në kuadër të rolit pro-aktiv në nxitjen e dialogut profesional dhe në promovimin e bashkëpunimit për ndërtimin e sistemeve financiare më të qëndrueshme, të sigurta dhe më të integruara në rajon, në pajtim me objektivin e 4-të të Planit Strategjik të BQK-së, për qasje të hapur ndaj nismave të shoqërisë civile, organizatave apo forumeve profesionale.

Bordi Ekzekutiv i FMN-së miraton Rishikimin e Katërt të Marrëveshjeve SBA dhe RSF: BQK vlerësohet për avancimin e reformave institucionale, zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e qëndrueshmërisë Guvernatori i BQK-së në Forumin e 2-të për Investime të Qëndrueshme: Menaxhimi i rreziqeve klimatike dhe promovimi i financimit të gjelbër vendimtare për stabilitet financiar si dhe zhvillim të qëndrueshëm