Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj dhe bashkëpunëtorët e tij, priti në takim anëtarët e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), të prirë nga Kryesuesi i Bordit, z. Emanuel Bajra, i shoqëruar nga Drejtori Menaxhues, z. Adrian Zalli.

Kryesuesi i Bordit të FKPK-së e njoftoi Guvernatorin Ismaili për aktivitetet dhe zhvillimet në FKPK, ku tashmë Bordi ka përbërje të plotë, si nevojën për të analizuar ndryshimet legjislative dhe të qeverisjes që janë paraqitur nga zhvillimet e kohës. Gjithashtu, paraqiti pikëpamjet e FKPK-së lidhur me zhvillimet në tregjet globale, pritshmëritë dhe strategjinë që po ndjekin për të siguruar qëndrueshmërinë e investimeve sipas objektivave ligjore.

Në anën tjetër, Guvernatori Ismaili i informoi drejtuesit e FKPK-së lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, reformat e ndërmarra nga BQK-ja në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, duke nënvizuar stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar, si dhe nismat ligjore për gjithëpërfshirjen financiare, qasjen në financa dhe edukimin financiar. Ai shtroi nevojën për qasje të kujdesshme dhe vendimmarrje efektive në kohe të turbulencave të ndryshme globale dhe gjeopolitike.

Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe mundësitë që të shqyrtohen aspekte të reformës rregullative dhe mbikëqyrëse në kuadër të gjithë sektorit financiar, si dhe avancimin e kornizës rregullative të FKPK-së dhe sektorit pensional në përgjithësi përmes grupeve punuese teknike, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.

Rëndësia sistemike e FKPK dhe mbrojtja e interesave të kontribuuesve kërkojnë qasje të kujdesshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional sipas përgjegjësive ligjore, duke kontribuar në stabilitetin e sektorit financiar dhe ekonomisë në përgjithësi.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Maltës viziton BQK-në në kuadër të bashkëpunimit për Auditimin e Qeverisjes Guvernatori Ismaili priti Misionin e FMN-së për rishikimin e fundit të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF)