Në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve për realizimin e Auditimit të Qeverisjes së BQK-së, në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) po qëndron një delegacion nga Banka Qendrore e Maltës, i kryesuar nga z. Aidan Massa dhe i përbërë nga znj. Daniela Sammut dhe z. Bartholomeo Buhagiar.

Auditimi i Qeverisjes është rezultat i dakordimit paraprak mes Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismaili, dhe Guvernatorit të Përkohshëm të Bankës Qendrore të Maltës, z. Alexander Demarco, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve, që vjen pas vizitës që vitin e kaluar një delegacion i lartë i BQK-së realizoi në Maltë.

Ky auditim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies në institucionin më të lartë financiar të vendit. Vizita katër ditore ka për qëllim kryerjen e një pjese të punës së auditimit, duke thelluar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira mes dy bankave qendrore.

Bashkëpunimi i tillë shënon një moment historik për BQK-në, pasi për herë të parë një auditim i tillë po realizohet me një bankë qendrore homologe që është pjesë përbërëse e Eurosistemit dhe Bankës Qendrore Evropiane. Përvoja, ekspertiza dhe praktikat e avancuara në fushën e qeverisjes do t’i shërbejnë BQK-së në forcimin e trupave të saj vendimmarrës dhe përmirësimin e mëtejshëm të standardeve të menaxhimit dhe transparencës.

Për më tepër, ky proces përbën edhe një hap të rëndësishëm në përmbushjen e rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke konfirmuar përkushtimin e BQK-së për të zbatuar standardet më të larta të menaxhimit dhe kontrollit institucional. Përmes këtij angazhimi, BQK dëshmon përkushtimin e saj për një institucion transparent, të besueshëm dhe të orientuar drejt praktikave të avancuara ndërkombëtare.

Gjatë kësaj vizite, ekipi nga Banka Qendrore e Maltës do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të BQK-së, përfshirë Guvernatorin, Kryetarin dhe Anëtarët e Bordit të BQK-së, Shefin e Auditimit të Brendshëm dhe drejtuesit e fushave relevante, për t’u njohur me proceset e punës dhe koordinuar më tej procesin e auditimit, si dhe për të shkëmbyer ekspertizën mbi qeverisjen.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar për të ndërtuar dhe përmirësuar më tej qeverisjen e saj institucionale, duke garantuar një sistem financiar të qëndrueshëm, transparent dhe të sigurt, me mbështetje të gjerë ndërkombëtare nga partnerët e saj që përfaqësojnë standardet më të larta. 

Kjo iniciativë, e mbështetur nga një partner i rëndësishëm evropian, shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e BQK-së drejt përsosmërisë institucionale dhe besueshmërisë së lartë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Guvernatori z. Ismaili shprehu falënderimet më të sinqerta për ekipin e Bankës Qendrore të Maltës dhe Guvernatorin z. Demarco, për asistencën e ofruar në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe gatishmërinë për bashkëpunimet tjera.

Miratohet Udhërrëfyesi për Zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës për banka Guvernatori Ismaili priti në takim Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës