Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, mirëpriti Misionin vizitues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. David Amaglobeli – Shef i Misionit për Kosovë, i shoqëruar nga ekipi i tij, për rishikimin e fundit të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF).

Duke paraqitur zhvillimet e fundit në sektorin financiar, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për kontributin dhe asistencën profesionale e teknike të FMN-së, si në aspektin e kornizës ligjore ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve në BQK. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional, duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet ekonomia vendore dhe ajo globale.

Nga ana tjetër, Shefi i Misionit, z. Amaglobeli, vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, si dhe progresin e bërë nga BQK në fuqizimin e kornizave dhe kapaciteteve institucionale. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të dala nga Marrëveshjet SBA dhe RSF dhe nënvizoi forcimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar të vendit. Gjithashtu, ai vlerësoi përkushtimin e BQK-së për reformat institucionale dhe rregullative, të cilat synojnë përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në funksion të ruajtjes dhe rritjes së stabilitetit financiar.

Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në zbatimin e rekomandimeve të dala nga Marrëveshjet SBA dhe RSF, të cilat BQK-ja i ka përmbushur me sukses sipas afateve të parapara. Gjithashtu, u diskutua mbi mundësinë e aranzhimeve të reja potenciale me FMN-në, të cilat do të kishin në fokus fuqizimin dhe reformat e sistemit financiar, të paraprira me konsultime të duhura dhe bazuar në nevojat institucionale.

Misioni do të qëndrojë në Kosovë nga data 12 deri më 21 mars, gjatë së cilës periudhë ekipi i FMN-së nga Uashingtoni do të angazhohet në diskutime tematike me ekzekutivin dhe personelin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe do të realizojë takime me institucione të tjera të Republikës së Kosovës.

Guvernatori Ismaili priti në takim Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës Guvernatori Ismaili merr pjesë si folës në ngjarjen “Anëtarësimi i Kosovës në SEPA: Procesi, Përparimi dhe Përfitimet e Pritshme”