Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor 2026 në Prishtinë, organizoi ligjëratën publike me temë “Vlerësimi i Stabilitetit Financiar Global: Ku qëndrojmë?”.

Ligjërata publike u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës dhe solli në diskutim Guvernatorin e BQK-së, z. Ahmet Ismaili, dhe z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit për Tregje Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Aktiviteti u hap nga Prodekanja e Fakultetit të Ekonomisë, znj. Vlora Prenaj, e cila përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti, si dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet BQK-së dhe Fakultetit të Ekonomisë.

Në fokus të diskutimit ishin zhvillimet më të fundit në stabilitetin financiar global dhe implikimet e tyre për ekonomitë e vogla, të hapura dhe të euroizuara. Në këtë kontekst, u trajtuan pasiguritë makrofinanciare, ndryshimet në kushtet financiare globale, zhvillimet në ndërmjetësimin financiar jobankar dhe rreziqet potenciale që mund të burojnë nga këto zhvillime për stabilitetin financiar.

Diskutimi përfshiu gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë së sektorit bankar, politikave të kujdesshme makroprudenciale, mbikëqyrjes efektive dhe të bazuar në rrezik, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për identifikimin, monitorimin dhe adresimin në kohë të rreziqeve sistemike.

Një pjesë e veçantë e ligjëratës iu kushtua zhvillimeve strukturore që po e transformojnë sektorin financiar, përfshirë pagesat dhe financën digjitale, inteligjencën artificiale, rreziqet kibernetike, kripto-asetet dhe paranë digjitale. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për korniza rregullatore dhe mbikëqyrëse që mundësojnë inovacion të sigurt, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar, integritetin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Për BQK-në, këto çështje kanë rëndësi të veçantë në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit financiar, forcimit të rezistencës institucionale, avancimit të mëtejshëm të reformave rregullatore dhe mbikëqyrëse, si dhe përafrimit me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Stabiliteti financiar, si një e mirë publike, mbetet parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, besim në sistemin financiar dhe mirëqenie të qytetarëve.

Në përmbyllje të aktivitetit, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me studentë, profesorë, përfaqësues të institucioneve dhe pjesëmarrës të tjerë. Në këtë pjesë u adresuan pyetje dhe komente lidhur me zhvillimet në stabilitetin financiar global, sfidat e reja rregullatore dhe rolin e bankave qendrore në një mjedis financiar gjithnjë e më kompleks.

BQK shpreh mirënjohje ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen profesionale të ofruar ndër vite, veçanërisht përmes angazhimit të Departamentit për Tregje Monetare dhe të Kapitalit. Ky bashkëpunim ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve të BQK-së në fushën e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes bankare, politikës makroprudenciale dhe përgatitjes institucionale për adresimin e rreziqeve të reja në sektorin financiar.

Njëherësh, BQK falënderon Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës për bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti dhe për kontributin në nxitjen e debatit akademik e profesional mbi çështje me rëndësi strategjike për sektorin financiar dhe ekonominë e vendit.

BQK mbetet e përkushtuar në forcimin e mëtejshëm të rezistencës së sistemit financiar, avancimin e reformave në përputhje me standardet evropiane dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të një sektori financiar të sigurt, të qëndrueshëm dhe në shërbim të ekonomisë së Republikës së Kosovës.

BQK organizoi takim me sektorin financiar vendor në kuadër të Konferencës Rajonale për Paranë Digjitale