Në kuadër të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, me temë “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), u mbajt takimi me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sektorit financiar.

Takimi kishte në fokus zhvillimet më të fundit në stabilitetin financiar global, implikimet e tyre për rajonin dhe Kosovën, si dhe rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve, sektorit financiar dhe partnerëve ndërkombëtarë në adresimin e rreziqeve dhe sfidave të reja.

Aktiviteti u hap nga z. Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal Rezident për Ballkanin Perëndimor i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të politikave të kujdesshme për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe avancimin e reformave në sektorin financiar.

Në kuadër të takimit, z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar, prezantoi Raportin Global të Stabilitetit Financiar të FMN-së. Prezantimi trajtoi zhvillimet kryesore në tregjet financiare ndërkombëtare, rreziqet ndaj stabilitetit financiar global, si dhe rekomandimet për forcimin e rezistencës së sistemeve financiare përballë sfidave aktuale dhe atyre të ardhshme.

Në diskutim morën pjesë drejtues dhe zyrtarë të BQK-së, përfaqësues të sektorit bankar, kompanive të sigurimeve, institucioneve financiare jobankare, kompanive të teknologjisë financiare, partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave.

Pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, rreziqet e mundshme për sektorin financiar, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të stabilitetit, inovacionit, digjitalizimit dhe gjithëpërfshirjes financiare në Kosovë.

BQK mbetet e përkushtuar në promovimin e dialogut profesional, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit të tij të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës.

Delegacioni i BQK-së takohet me delegacionin e FMN-së Stabiliteti financiar global dhe sfidat e reja të sektorit financiar në fokus të ligjëratës publike të BQK-së me Fondin Monetar Ndërkombëtar